Kosova

Arrestimi i fundit i dy spiunëve rishfaqi nevojën e domosdoshme për miratimin e Ligjit të Lustracionit


Ilustrim

Pas arrestimit të dy personave nën dyshimin se kanë shërbyer si spiunë të shërbimit sekret të Serbisë (BIA) – hera e parë në histori të Kosovës së pasluftës që zyrtarisht ka akuzë të këtij lloji – njohësit e çështjeve juridike po e konsiderojnë të domosdoshëm miratimin e Ligjit të Lustracionit, duke qenë se të arrestuarit, në periudha të caktuara kohore, kishin shërbyer në institucionet e paraluftës në Kosovë.

Termi “lustrim” rrjedh nga latinishtja që përdoret për “pastrim”.

Në literaturën e drejtësisë tranzicionale, lustracioni nënkupton diskualifikimin e atyre që lidhen me abuzimet nën regjimin e mëparshëm.

Praktika zuri vend në Evropën Lindore post-sovjetike, ku shumica e vendeve kanë adoptuar një formë lustrimi për të përjashtuar nga postet publike për periudha të ndryshme kohore ish-funksionarët e partisë komuniste dhe ata që bashkëpunuan me forcat e policisë sekrete.

Një nga shembujt më të njohur është Polonia. Ky vend ka zbatuar Ligjin e Lustracionit pas rënies së regjimit komunist në vitet ’90. Kjo ka përfshirë hetimin dhe largimin nga pozitat publike të individëve të cilët ishin pjesë e regjimit komunist dhe të cilët ishin përgjegjës për shkelje të drejtave të njeriut dhe abuzime të tjera gjatë kësaj periudhe. Kjo ka ndihmuar në pastrimin e sistemit politik dhe në kthimin e besimit të publikut në institucionet e reja demokratike të vendit.

Në Kosovë, shumë herë, miratimi i Ligjit të Lustracionit ka qenë subjekt diskutimi, duke qenë se ka pasur vazhdimisht dyshime se në institucione publike punojnë njerëz me të kaluar të dyshimtë në shërbim të shtetit të Serbisë.

Nevoja e miratimit të këtij ligji në Kosovë u riaktualizua pasi që më 5 qershor, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, u arrestuan nën dyshimin për spiunazh, duke qenë se të njëjtit kishin punuar më herët në institucione publike.

Shabani ka punuar si doganier gjatë viteve të ‘90-ta, në periudhën e Sllobodan Millosheviç-it, por edhe pas çlirimit të vendit, kurse Qerimi ka qenë zyrtar i policisë deri disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bisedë për Albanian Post, thekson nevojën e domosdoshme të miratimit të Ligjit të Lustracionit.

“IKD në vazhdimësi e ka potencuar nevojën e miratimit të një ligji të tillë duke marrë për bazë faktin se ka pasur dyshime në vazhdimësi se në institucione, si të drejtësisë ashtu edhe të sigurisë, kanë qenë të vendosur persona me të kaluar të dyshimtë përfshirë raste që këta persona kanë pasur pozita të rëndësishme në kohën e ish-Jugosllavisë në vitet ’80-ta dhe ’90-ta”, tha Miftaraj për AP.

Spektri politik në vend në përgjithësi deri më tani nuk ka marrë asnjë iniciativë në këtë drejtim, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile dhe juristëve kanë theksuar kohë pas kohe nevojën që vendi të ketë Ligjin e Lustracionit.

“Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk ka pasur vullnet politik për të miratuar një ligj të tillë, por përkundrazi politika i ka shfrytëzuar dhe ofruar mbrojtje këtyre personave duke iu besuar edhe pozitat me të rëndësishme në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë pas luftës”, potencon Miftaraj.

Se do ishte mirë që Ligji i Lustarcionit të bëhej, mendon edhe profesori universitar në Fakultetin Juridik, Mallzum Baraliu, megjithëse konsideron se, në këtë çështje, “Kosova ka një situatë shumëfish të komplikuar”.

“Për arsye se të dhënat kryesore gjatë luftës së fundit janë marrë nga shërbimet e caktuara të Serbisë, janë bartur dikund atje në Beograd, apo kanë mundur që të manipulohen dhe manipulimet janë të natyrës së dyfishtë”, pohon Baraliu në një prononcim për AP.

Lustracioni është një instrument shumë i përhapur i drejtësisë tranzicionale. Disa mendojnë se ndonëse nuk ka asgjë të keqe me këtë praktikë në parim, ajo shpesh është zbatuar në një mënyrë jo të duhur duke akuzuar të pafajshmit. Kjo mund të ilustrohet në raste të ndryshme në Evropën Lindore, veçanërisht pasi identifikimi zakonisht është bërë nëpërmjet të dhënave të qeverisë komuniste, të cilat jo çdo herë kanë qenë plotësisht të sakta.

“Njerëzit baltosen, falsifikohen dosjet, modifikohen që të ngarkohen njerëzit pa arsye ose të ndodh e kundërta”, shton Baraliu.

Prandaj, në vlerësimin e tij, “ky është një problem”, derisa përmend edhe raste konkrete nga shembujt e së kaluarës.

“Ndonëse shumë shtete që kanë dalë nga komunizmi e kanë bërë, edhe këtu si në ato vende do të mund të kishte pasoja të natyrave të tjera. Do zbuloheshin njerëz e rrjete të ndryshme, të cilat mund të nxjerrin në sipërfaqe gjëra që mund të shkaktojnë përçarje eventuale potenciale, prandaj nuk mendoj se ka atmosferë, klimë e disponim për lustracion, aq më pak për një ligj të tillë”, thotë juristi.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, gjithmonë është raportuar se persona me të kaluar të dyshimtë po punojnë në institucione publike, madje një numër i konsiderueshëm edhe në ato të sigurisë.

Mirëpo, mungesa e Ligjit të Lustracionit ka qenë pengesë për ta vërtetuar këtë, në mënyrë që të njëjtit të largoheshin nga institucionet.

Sa i përket arrestimeve të fundit për spiunazh, institucione e sigurisë në vend dyshojnë se qëllimi i tyre ka qenë kontaminimi dhe diskreditimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes stisjeve të provave, ose inskenimit të dëshmitarëve të ndryshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore