Shqipëria

Arrest me burg për Altin Çokun që nxiti vetëvrasjen e 27-vjeçares


Për 39-vjeçarin Altin Çoku, i cili akuzohet se nxiti vetëvrasjen e 27-vjeçares, është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në Kamëz.

Më seancën gjyqësore të kësaj të enjteje – teksa në shumicën e kohës mban kokën poshtë për t’iu shmangur kamerave – vazhdimisht bën disa lëvizje që shfaqin nervozizëm.

“Foton e nxori shtetasi Haxhia. Mesazhet janë në telefonin e vajzës, të së ndjerës. Shpreh keqardhje për familjen e të ndjerës”, ka thënë ai.

Shantazhi online, vrasësi i ri i jetëve njerëzore

Ngjarja tragjike ndodhi të dielën e 11 shkurtit në Kamëz, kur një 27-vjeçare u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati, duke gjetur vdekjen, ka pasur si shkak publikimin e një fotografie intime të saj.

Policia asokohe bëri me dije se një shtetas 39-vjeçar, i cili mendohet se e ka publikuar foton, është vënë në pranga.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Ai u dyshua se kishte publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të katërt dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.

Taulant Balla, ministër i Brendshëm, ka reaguar për ngjarjen duke bërë me dije se i ka kërkuar Policisë së Shtetit të rrisë forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha.

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetase”, ka treguar ai.

“I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën”, ka vijuar Balla.

Ministri ka shtuar duke vënë në dukje edhe ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës online, të cilat duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt.

“Asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, ka përmbyllur reagimin ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore