Kosova

Arratisja e Faton Hajrizit, Shërbimi Korrektues nis procedurat disiplinore ndaj tre zyrtarëve


Të burgosurit në oborrin e burgut në Gjilan, foto: Radio Evropa e Lirë

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur procedurat displinore ndaj tre zyrtarëve për rastin e arratisjes së Faton Hajrizit nga Qendra Korrektues e Smrekonicës, ka treguar për Albanian Post, Florent Gashi, zëdhënës i SHKK-së.

“Në procedurë disiplinore për këtë rast janë  tre (3) zyrtarë përfshirë një mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjen e Gashit, i cili sqaroi për AP se hetimet po vazhdojnë.

Procedurat disiplinore për zyrtarët deri më tani kanë ardhur pas hetimeve të brendshme administrative nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues.

“Komisioni disiplinorë për këtë rast deri me tani ka mbajtur disa seanca dëgjimore dhe pas përfundimit të procesit do të njoftoheni me masat disiplinore të ndërmarra ndaj secilit zyrtarë”, pohoi Gashi.

Burgu i Smrekonicës.

Faton Hajrizi, i vrarë me XX në Lozincë të Serbisë nga forcat policore serbe, u arratis nga Smrekonica me XX.

Vec Hajrizit përafërsisht në të njëjtën kohë ishte larguar nga Kosova edhe i dënuari për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa, Ujkan Metaj e Marko Roshiç.

Nga Policia e Kosovës, janë arrestuar dy persona si të dyshuar se ndihmuan Hajrizin të arratisej.

Rasti i Hajrizit

Hajrizi u dënua fillimisht për vrasjen e një ushtari rus kur ishte 15 vjeç, dhe gjithashtu për disa vepra të tjera penale.

Ai u dënua për një rast të tentim-vrasje, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Më 24 janar të 2008-së, vendimi i dytë gjyqësorë për Faton Hajrizin ishte marrë nga Gjykata e atëhershme e Qakut në Mitrovicë.

Ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur që sipas gjykatës i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër në vitin 2006 në Skenderaj.

Ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Hajrizin për vrasjen në tentativë.

Çka thanë krerët e shtetit për rastin e Hajrizit?

Më 24 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte bërë kërkesë ndaj qytetarëve që Faton Hajrizi të mos heroizohet dhe se nuk duhet të bien pre e euforisë së romantizmit të tij.

“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë kryeministri.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, kishte deklaruar më 19 korrik se Faton Hajrizi për Kosovën është “kriminel”

“Për Kosovën, personi që ka ikur është person i dënuar për vepra penale, është kriminel dhe vendin e ka prapa grilave. Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativen kosovare krimineli e ka vendin në burg”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendoi se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës i ka nxitur Serbia për çka më pas edhe u intervistua nga Prokuroria Speciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore