Armenia raporton 25 të vdekur, Azerbajxhani kap 60 pika ushtarake kyçe gjatë operacionit në Karabakh
Vitjon Nina
19.09.2023 19:33Deri tani kanë mbetur të vdekur të paktën 25 persona, përgjatë një operacioni ushtarak që Azerbajxhani ka nisur në rajonin separatist të Karanakhut, sipas autoriteteve armene në atë zonë.
Megjithatë, nuk specifikohet në këtë raportim, nëse të vrarët janë thjesht ata nga pala armene, apo nga të dyja kahet e luftimeve.
Ndërkohë nga Azerbajxhani është bërë me dije se kanë kapur 60 pika kyçe ushtarake në orët e para operacionale.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit bëri me dije mesditën e 19 shtatorit se ka filluar operacionet “anti-terroriste” në rajonin e saj të shkëputur të Nagorno-Karabakh, nën kontrollin armen.
Tensionet kanë qenë të larta prej muajsh rreth enklavës etnike armene, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Njëmbëdhjetë policë dhe civilë të Azerbajxhanit janë raportuar të vrarë në një shpërthim mine dhe një incident tjetër.
Sirenat e sulmit ajror janë raportuar në qytetin kryesor të Karabakh-ut.
Dy fqinjët, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë hyrë në luftë dy herë për Nagorno-Karabakh’un, së pari në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përsëri në vitin 2020.
Që nga dhjetori, Azerbajxhani ka vendosur një bllokadë de facto të rrugës së vetme për në enklavë nga Armenia, e njohur si Korridori i Lachin-it.
Nga strukturat e Bashkimit Evropian, përmes kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, është bërë thirrje ndaj Azerbajxhanit që të ndalojë aktivitetit e tija aktuale ushtarake dhe të pushojë përshkallëzimin.
BE i bën thirrje Azerbajxhanit të ndalojë aktivitetet ushtarake në Karabakh
“Ekziston një nevojë urgjente për t’u kthyer në dialog midis armenëve të Karabakut dhe Bakut. Ky përshkallëzim ushtarak nuk duhet të përdoret si pretekst për të detyruar eksodin e popullsisë vendase”, tha ai.
Po ashtu, Borrell shtoi se BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar në lehtësimin e dialogut midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Ndërsa, nga ana tjetër, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka dalë nga “linja e dialogut” sa i takon konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke mbështetur plotësisht operacionin ushtarak të Baku-t në Karabakh.
Erdogan mbështet plotësisht operacionin e Azerbajxhanit në Karabakh
Presidenti turk kështu është bërë lideri i parë brenda aleancës së NATO-s, i cili e mbështet homologun e tij, Ilham Aliyev, në vendimin e marrë.