Lajme

Armë me dron në burgun e Italisë, breshëri plumbash ndaj rivalëve në qeli


Një i burgosur italian ka qëlluar mbi shokët e qelisë përmes hekurave, me një armë që besohet se ishte sjellë në mënyrë kontrabande, me dron.

Djali 28-vjeçar, i cili ka lidhje me mafien napolitane, goditi tri herë mbi të burgosurit me të cilët kishte debatuar. Plumbat nuk arritën t’i preknin të tjerët, njoftoi Donato Capece, kreu i sindikatës së burgut Sappe.

Ai kishte marrë leje për të bërë një dush dhe sapo dera ishte e hapur i ka drejtuar armën rojës së qelisë. Më pas e ka detyruar të dorëzojë çelësat në qelitë e tjera.

Në pamundësi për të hapur qelitë e armiqve, i burgosuri qëlloi përmes hekurave.

Djali, më pas, ka përdorur një telefon celular të paligjshëm për të thirrur avokatin e tij, i cili e këshilloi që t’ua dorëzonte armën autoriteteve, në burgun e sigurisë së lartë, rreth 60 kilometra (100 km) në jug-lindje të kryeqytetit, Romë.

“Mendohet se arma ka mbërritur me dron”, tha Capece.

Incidenti ka ngritur shqetësime mbi menaxhimin e dobët të burgjeve të Italisë.

Italia ka burgjet më të mbushura me njerëz në Bashkimin Evropian (BE), me 120 të burgosur në 100 vende, krahasuar me Francën dhe Spanjën, sipas një raporti të Këshillit të Evropës 2020.

Burgjet e Italisë u vunë nën një kontroll intensiv në qershor, kur u zbuluan pamjet e rojeve në një institut duke rrahur të burgosurit me shkopinj, si shpagim për protestat gjatë kufizimeve të pandemisë.

Sindikata e rojeve të burgut i ka bërë thirrje qeverisë të krijojë një njësi për krizat pas incidentit me të shtëna, duke thënë se sistemi i burgjeve ishte “jashtë kontrollit”.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore