Euro 2024

Armando Broja: Milani pret eliminimin e Shqipërisë nga Euro 2024, në lojë futet edhe Stuttgart


Armando Broja

Ylli i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja pritet të ketë një verë të nxehtë pasi është i lidhur me disa skuadra në mbarë Evropën.

Lojtari i Chelsea-t është aktualisht i angazhuar me Shqipërinë në Euro 2024, ku disa skuadra kanë dërguar skautët e tyre për ta vëzhguar.

Megjithatë, tre raporte nga media të ndryshe kanë qarkulluar ditën e sotme rreth të ardhmes së Brojës, të cilit Chelsea duket se i ka treguar derën.

Sipas “Sky Germany”, Stuttgart është skuadra më e fundit që synon shërbimet e sulmuesit shqiptar. Klubi i Bundesliga-s e shikon Brojën si zëvendësuesin e Serhou Guirassy-t, me këtë të fundit që pritet të kalojë te Borussia Dortmund-i.

Milan-i është gjithashtu seriozisht në garë për Brojën. Sipas një raporti në “Corriere dello Sport”, kuqezinjtë e Milanos po presin eliminimin e kuqezinjëve të Sylvinho-s nga Euro 2024 për të nxituar negociatat me sulmuesin 22-vjeçar.

Mirëpo, një raport i tretë, nga mediat angleze këtë herë, thotë se Broja është i interesuar të transferohet te Leicester City pasi të përfundojë aventurën në Euro 2024.

Kujtojmë se pas Brojës janë gjithashtu edhe Everton, Wolves dhe Wolfsburg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore