Armand Duka zbulon objektivin e radhës së Shqipërisë, pozicioni i Sylvinho-s nuk ndikohet

Kreu i futbollit shqiptar tregon se cili është objektivi i radhës për kuqezinjtë pas pjesëmarrjes së fundit në Euro 2024
SHFLETO

Sylvinho - Armand Duka

 

Romario Ismailaj
28.09.2024 17:36
Loading Icons...

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “Klan News” ku ndër të tjera ka folur edhe për rinovimin e kontratës me trajnerin Sylvinho dhe për objektivat e radhës së Kombëtares kuqezi.

Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit foli për rinovimin e kontratës me trajnerin brazilian, Sylvinho dhe stafin e tij, ndërsa shtoi se objektivi i përbashkët është kualifikimi në Kupën e Botës 2026.

Rinovimi i kontratës me Sylvinho-n dhe rikonfirmimi i të gjithë stafit të ekipit Kombëtar nuk është vetëm një opinion apo dëshirë e imja, është rrjedhë logjike e punës dhe kontributit që ka bërë Sylvinho dhe i gjithë stafi i tij me ekipin Kombëtar, performanca gjatë kësaj periudhe dhe rezultati, kualifikimi në Evropian”, tha Duka.

“Padyshim që mbase do të ishim shumë më të lumtur nëse do të kishim ndonjë pikë më shumë në Evropian apo një paraqitje më të mirë në një ndeshje që vërtetë kishte pikëpyetje në Evropian. Por, në përgjithësi Evropiani ishte i mirë”.

“Në një rrjedhë logjike normale një staf dhe skuadër që ka bërë rezultat historik, më i miri në historinë e Shqipërisë kualifikimi për herë të dytë në Evropian. Ishte një kampionat vërtetë ndryshe dhe më i bukur se Euro 2016. Kënaqësia që morën njerëzit në këtë Evropian, e kemi lexuar dhe parë te të gjithë ato që kanë qenë në Gjermani, por edhe ato që nuk kanë qenë e kanë përjetuar me shumë kënaqësi”.

“Vërtetë ishte një Evropian shumë i mirë. Ishte një rrjedhë logjike, e performancës, kontributit dhe kënaqësisë që i ka dhënë të gjithë njerëzve. Në fund të fundit futbollit për këtë është”, theksoi ai.

Përsa i përketë objektivit për të ardhmen, Duka theksoi se: Objektivi i vetëm që ka Sylvinho, futbollistët dhe të gjithë ne, që të tentojmë për të shkuar në Kampionatin Botëror”.

“Jemi të ndërgjegjshëm që nuk është një objektiv i lehtë dhe është i vështirë. Gjërat e vështira duam më shumë impenjim dhe punë, ne këtë po e bëjmë. Padyshim që duhet edhe më shumë kualitet”.

“Objektivi mbetet real për Shqipërinë, duke parë performancën që ekipi Kombëtar ka patur në kualifikuese dhe në Evropian. Ndeshja ndaj Kroacisë ishte e nivelit botëror, ku ekipi jonë meritonte më shumë në rezultat. Edhe ndeshja me Spanjën ishte e mirë dhe duke parë të gjitha këto, ne kemi mundësi reale për të luftuar”.

“Mbetet për t’u parë, por ky është objektivi. Ky nuk është një objektiv që cënon ekzistencën e Sylvinho-s dhe stafit të tij, por mbetet një objektiv për t’u luftuar nga të gjithë së bashku. Shpresoj që ta realizojmë”, përfundoi kreu i qeverisë së futbollit në Shqipëri.