Sport

Arlind Kurti zbulimi i vitit, merr çmimin “Talenti i vitit 2023”


Arlind Kurti, futbollisti i talentuar i Laçit, është shpallur fitues i çmimit “Talenti i vitit 2023 për djem”.

18-vjeçari, i cili luan në pozicionin e rolit të mbrojtësit të krahut ka qenë një nga zbulimet e këtij sezoni , duke dhënë kontributin e tij jo vetëm te Laçi, por edhe te ekipi Kombëtar U-19, ku mban edhe shiritin e kapitenit.

“Ndihem i nderuar dhe i vlerësuar që marr çmimin Talenti i Vitit 2023. Ky çmim më shtyn përpara që të punoj edhe më fort. Falënderoj skuadrën e Laçit që më ka dhënë mundësinë të tregoj cilësitë e mia. Sigurisht, edhe përfaqësuesen U-19, me të cilën ka marrë pjesë në eliminatore. Çmimin ia dedikoj familjes sime, që më ka mbështetur në gjithë këto vite”, ka thënë Kurti.

Sot po mbahet mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit “Më të Mirët 2023” ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.

FSHF ka përgatitur një mbrëmje festive të pasur edhe me program artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe Kombëtares kuqezi që mbylli një edicion fantastik kualifikues, me objektivin e arritur finalet e Europianit “Gjermani2024”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore