Kulturë

Arkitektura e dy xhamiave ikonike të Prishtinës


Easy Voyage

Arkitektura Islame është e shtrirë globalisht.

Ajo ka gjenezën në vendet e Lindjen e Mesme, pastaj është shtrirë nga Spanja gjerë në Indi.

Kjo shtrirje ka ndodhur për një periudhë të shkurtër kohore, përkatësisht brenda një shekulli.

Arkitektura Islame gjatë gjithë historisë së saj ka adaptuar dhe reaguar ndaj kulturave dhe traditave të ndryshme ekzistuese, pa dobësuar thelbin shpirtëror të saj, i cili ishte burim i frymëzimit.

Zhvillimi i kësaj arkitekture u ndikua kryesisht nga ndërtimet e bëra në Gadishullin Arabik gjatë kohës së Profetit Muhamed.

Ndikim të fuqishëm pa dyshim se patën edhe veprat arkitekturore të grekëve, romakëve, bizantinëve dhe persianëve,  me motivet e tyre, por gjithmonë duke ardhur në një stil origjinal dhe në harmoni me mjedisin, nevojat dhe kushtet socio-kulturore.

A ka arkitekturë Islame?

Studiuesit gjithmonë kanë pasur mendime të ndryshme nëse ka një arkitekturë që mund të quhet “islamike” apo jo. Në qoftë se ka, cili është kuptimi i saj dhe cilat janë karakteristikat kryesore.

Gjithmonë ka qenë në dyshime se a duhet futur brenda emërimit “arkitekturë islame” çdo objekt i ndërtuar vetëm në vendet me shumicë myslimane, apo çdo objekt që është ndërtuar nga myslimanët.

Arkitektura Islame është mjaft e gjerë dhe si e tillë, ajo shtrihet në shumë periudha kohore të cilat e karakterizojnë atë.

Arkitektura islame në Kosovë

Në Kosovë, objektet e kultit të besimit islam për herë të parë ndërtohen në kohën e Perandorisë Osmane.

Rrjedhimisht, këto objekte e karakterizojnë periudhën otomane në vend.

Perandoria Osmane (1299-1923) është themeluar në vitin 1299 nga Osman Gazi. Kryeqyteti i parë i perandorisë ishte Bursa, pastaj Edirne dhe në fund Stambolli.

Sundimi Osman u shtri për një periudhë kohore prej rreth 700 vitesh.

Në kulmin e saj, Perandoria Osmane mbuloi një territor të gjerë e cila përfshinte pikësëpari Ballkanin, Greqinë, Anadollin, Sirinë, Irakun, Egjiptin, Qytetet e Shenjta të Arabisë, Algjerisë dhe Tunizisë.

Karakteri i arkitekturës Osmane pësoi ndryshime të shumta gjatë kësaj epoke të gjatë.

Arti osman filloi fillimisht në Iznik, duke vazhduar në Bursa dhe Edirne. Më vonë u zhvillua në Stamboll dhe më pas u përhap në të gjitha vendet e sunduara nga Perandoria Osmane.

Trashëgimia arkitektonike e Osmanëve ndahet në tre periudha, duke filluar me fazën e hershme formuese (1299­1453).

Kjo pasohet nga periudha klasike (1453–1700) së cilës i përkasin shumica e monumenteve më të njohura të arkitekturës osmane, një numër i të cilave u projektuan nga arkitekti i madh osman Sinani. Kjo pasohet nga periudha e vonë (1718–1923) e cila karakterizohet nga elemente dekorative më të zhvilluara dhe me ndikim të stilit perëndimor.

Një karakteristikë kryesore e xhamive osmane nga periudha e hershme është mbizotërimi i një kupole qendrore që mbulon një pjesë të konsiderueshme të sallës së lutjeve.

Në Prishtinë por edhe në tërë territorin e Kosovës, ka shumë xhamia dhe objekte të tjera të ndërtuara në periudha të ndryshme të kohore të Perandorisë Osmane.

Në Prishtinë është Xhamia e Mbretit, e njohur edhe si Xhamia e Madhe ose Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II.

Oborri i saj është në formë trekëndëshi dhe kufizohet me tri rrugë; dy rrugët anësorë qojnë drejt tregut të gjelbër, ndërsa rruga në anën e kiblës dërgon në anën e djathtë drejt qendrës së qytetit.

Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”.

Në pjesën lindore të xhamisë përtej rruge gjenden “Sahat Kulla”, në oborrin e xhamisë është shatërvani nga mermeri. Shatërvani është i mbuluar me çati me tjegulla dhe ka 16 çezme që shërbejnë për marrjen e abdesit.

Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Gurit ose Xhamia e Sulltan Muratit, është një monument i trashëgimisë kulturore në Prishtinë.

Kjo xhami gjendet në kompleksin e Prishtinës së vjetër, në pjesën qendrore të qytetit.

Xhamia u ndërtua në fillim të shek. XV nga Sulltan Bajaziti për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratit në betejën e vitit 1389.

Në afërsi të kësaj xhamie ndodhen: Shatërvani, Muzeu i Kosovës, Xhamia e Jashar Pashës dhe Parku Arkeologjik, të cilat së bashku formojnë një tërësi kulturore historike nën mbrojtje të shtetit.

Xhamia është ndërtuar me gurë mbi bazë katrori (12.70m), prej së cilës me pandativë kalohet në tamburin dymbëdhjetëkëndësh mbi të cilin vendoset kupola qendrore.

Objekti është një hapësinor, me minare të ndërtuar tërësisht nga guri, ku kjo karakteristikë e bënë objekt të veçantë në Evropën Juglindore.

Xhamia kufizohet me oborr shumë të ngushtë. Hapësira e brendshme ndriçohet nga dritaret e radhitura në nivele të ndryshme me ritëm të theksuar, sipërfaqet e mureve janë të dekoruara me piktura murale me motive bimore orientale të asaj kohe.

Xhaminë e karakterizon edhe maja e minares poligonale me gurë. Gjatë kohës xhamia në brendi, jashtë dhe në rrethinën e saj pësoi ndërhyrje riparuese dhe transformime të cilat ndikuan në integritetin pamor të saj, ndërsa minarja e saj mbeti e pa transformuar nga forma origjinale.

Në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, kjo ndërtesë është strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës, dhe në përbërje ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.

Wikimedia

Xhamia e Sulltan Mehmedit II (Fatihut) në Prishtinë, që njihet edhe si xhamia e madhe e Prishtinës, është ndërtuar me urdhër të Sulltan Mehmedit II në vitin 865 hixhri (1460/61), 8 vjet pas çlirimit të Stambollit. Mbishkrimi i xhamisë gjendet mbi derën e xhamisë, mbi një copë të bukur mermeri me ngjyrë të zezë e përbërë prej katër rreshtave, në të cilin thuhet.

Xhami është ndërtuar sipas urdhrit të Sulltan Mehmet Fatihut II – Pushtuesit. Mbishkrimi i shkruar në alfabetin arab në gjashtë rreshta i cili ndodhet mbi hyrje si datë të saktë të ndërtimit jep vitin 1461, sipas kalendarit gregorian, përkatësisht hixhrën 865 sipas kalendarit arab.

Gjatë luftërave austro-turke në fund të shek. XVII ishte shndërruar në kishë katolike.

Xhamia me objektet ndihmëse zë sipërfaqe prej 577 m2. Është ndërtuar me gurë të gdhendur ranorë të ngjyrës së verdhë.

Muret nga ana e brendshme janë veshur me tulla të lidhura dhe të suvatuara me llaç gëlqereje. Trashësia e mureve arrin 180 cm.

Xhamia përbëhet prej një hapësire në trajtë drejtkëndëshi me përmasa 14.14 x 14.14 m, kupolës me diametër 13.50 m e ngritur mbi katër pandativa, minares së lartë 38.20m dhe portikut reprezentativ.

Mund të thuhet se kupola Xhamisë së Madhe është një ndër kupolat më të mëdha të objekteve të shek. XV dhe me zgjedhje më të suksesshme arkitektonike në Evropën Juglindore.

Në pjesën e brendshme gjendet mihrabi, mimberi dhe mahvili. Për vlera artistike shquhet sidomos mahvili i drurit i zbukuruar me friz në formë stalaktitesh dhe me ornamente gjeometrike.

Portiku i xhamisë peshon mbi shtylla ortogonale ndërsa në pjesën e sipërme mbulohet me kupola. Kupola qendrore dhe kupolat e portikut janë të mbuluara me llamarinë të zinkuar.

Brendia e xhamisë ndriçohet nga hapjet e dritareve të mëdha në tri zona të mureve dhe nga 12 hapje të vogla të kupolës.

Kalota e kupolës qendrore, sipërfaqet e pandativave, sipërfaqet rreth dritareve, kupolat dhe pandativët e portikut janë pikturuar më ngjyra të larmishme me motive bimore në teknikën al seko.

Në aspektin arkitektural, hapësinor, strukturor dhe dekorativ, ndërtesa ruan të gjitha tiparet që nga koha e ndërtimit. Është një ndërtesë unike dhe dominuese në peizazhin e qytetit të Prishtinës.

Wikimedia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore