Arjan Sala do të marrë titullin “Dëshmor i Atdheut”

SHFLETO
Vitjon Nina
27.03.2021 11:41
Loading Icons...

Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmori i Atdheut”, t’i japë këtë titull shtetasit heroik Arjan Sala, i cili për të shpëtuar jetën e punonjësve të tjerë, mbeti vetë i bllokuar në një magazinë në flakë, ku edhe humbi jetën.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

“Presim përfundimin e shpejtë të ekspertizës ligjore dhe propozimin e prefektit të Tiranës për të marrë vendim të menjëhershëm”, shkruan Koçi në Facebook.

“Humbja e jetës së Arjan Salës, përveçse na shkakton dhimbje të papërshkrueshme si për një bir e vëllam nga ana tjetër dëshmon se ka djem heronj si Arjani, që sakrifikojnë jetën e tyre për të mbrojtur jetët e të tjerëve”.

Sala punonte si punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private pranë qendrës tregtare Casa Italia.

Njoftohet se grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Zjarri ra nё njё magazinë me një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorë. Kjo magazinë ishte dhënë me qera një subjekti privat për tregtimin e rrobave.

Zjarri mori përmasa të mëdha për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.

Pasi shpëtoi 25 punonjёs tё tjerё, shefi i sigurisё Arjan Sala, mbeti i bllokuar në katin e nëndheshëm të magazinës.

Familjarët, që prej pasdites së 24 marsit, kërkuan që të bëhej e mundur nxjerrja e trupit të pajetë.