Kosova

Arifi: Reciprociteti me targat në zbatim, ndërkohë nxënësit shqiptarë të Luginës intonojnë himnin serb


Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi.

Vendimi për reciprocitetin është duke u zbatuar por kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi sërish ka shprehur pakënaqësi.

Arifi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ është shprehur i pakënaqur për zbatimin e reciprocitetit me targat, përderisa nxënësit në Luginë akoma këndojnë himnin kombëtar të Serbisë.

“Reciprociteti me targat në zbatim, ndërkohë nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës, në ditën e parë të shkollës, obligohen të intonojnë himnin kombëtar të Serbisë “Bože Pravde”!”, ka shkruar Arifi.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, ka shprehur sërish mllefin e tij pasi nxënësit në Luginën e Preshevës akoma detyrohen ligjërisht ta intonojnë himnin serb në ditën e parë të shkollës.

Arifi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar dokumentin që pasqyron vendimin për detyrimin e intonimit të himnit serb “Boze Pravde”.

“Tani shtrohet pyetja retorike, si qëndron e tëra kjo me të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë, kur dihet se simbolet kombëtare shqiptare janë të ndaluar. Kur jemi tek reciprociteti, cilat aktivitete e zhvillime janë ndërmarrë dhe planifikuar në këtë drejtim nga Qeveria e Republikës së Kosovës?”, ka shkuar ai.

Më 9 shtator, kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, bëri të ditur se nuk do të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, të cilët kanë qenë duke vizituar Luginën e Preshevës.

Arifi këtë e kishte bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Jo nuk do te takohem me ta. Kjo për arsyeje si shenjë proteste që kanë anashkaluar komunën e Preshevës. Agjendën e kamë parë online, por në këtë takim (me krerët politikë) nuk do të marrë pjesë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Mllefi i Arifit, ndaj Qeverisë Kurti është shfaqur prej kohësh kur një zotim i ekzekutivit të Kosovës për Preshevën për ndarjen e dy milionë eurove nga buxheti i Kosovës nuk është realizuar asnjëherë deri më tani.

Edhe me 2 shtator, pas konfirmimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës se i ka dhënë leje kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç për të vizituar të hënën Veriun e Kosovës Arifi kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të vizitoj Luginën e Preshevës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore