Boterori 2022

Argjentina fiton Kupën e Botës, mposht Francën pas ekzekutimit të penalltive


Argjentina është shpallur kampion i botës, teksa në “finalen e çmendur” e mposhti Francën pas ekzekutimit të penalltive.

Ndeshja nisi me një ritëm dukshëm më të lartë të argjentinasve, të cilët kërkonin vazhdimisht golin.

Angel Di Maria e pati një rast shumë të mirë në minutën e 18-të, por në hyrje të zonës ai goditi mbi portë.

Ndërkohë, në aksionin pasardhës, Di Maria e fiton një penallti, pasi në zonë u shty nga Ousmane Dembele.

Si zakonisht, Lionel Messi e mori përsipër për ta ekzekutuar 11-metërshin, duke u treguar i saktë për 1:0.

Ky ishte goli i gjashtë i Messi-t në këtë Botëror, ndërsa 12 ka realizuar në total në të gjitha Kampionatet e Botës ku ka marrë pjesë.

Pas këtij momenti, argjentinasit nuk u ndalën duke e kërkuar edhe golin e dytë.

Dhe, atë e gjetën në minutën e 36-të, kur pas një kundërsulmi fantastik, Alexis Mac Allister e gjen krejtësisht të vetëm Angel Di Maria-n, i cili me një parabolë të lehtë shënoi për 2:0.

Deri në fund të pjesës së parë raste konkrete më nuk pati, por duhet theksuar se trajneri i Francës, Didier Deschamps ka bërë dy zëvendësime.

Ka larguar nga loja Olivier Giroud dhe Ousmane Dembele, i futi Marcus Thuram dhe Randal Kolo Muani.

Pjesa e dytë gjithashtu nisi shumë më mirë për Argjentinën, ku francezët nuk po arrinin të tregonin asgjë.

Pjesë e dobët gjithashtu ishte edhe Kylian Mbappe, i cili nuk ishte vërejtur deri në minutën e 80-të, atëherë kur iu nevojitën vetëm 2 minuta, apo më saktë, 97 sekonda për ta barazuar rezultatin.

Të parin e shënoi në minutën e 80-të nga penalltia e fituar nga Kolo Muani, ndërsa në aksionin pasardhës e shënoi edhe të dytin pas një asistimi të Marcos Thuram.

Pas këtyre golave, ndeshja ishte e mbyllur nga dyja skuadrat, të cilat prisnin fishkëllimën e fundit të gjyqtarit për të vazhduar në vazhdime.

Vlen të theksohet se Messi e pati një rast shumë të mirë krejt në fund të ndeshjes, por goditjen e tij të fortë mezi e priti Hugo Lloris.

Në vazhdime, në pjesën e dytë të tyre, Argjentina kaloi në epërsi, gol ky që u duk se do t’ia japë titullin kampion bote.

Megjithatë, francezët përsëri nuk u dorëzuan dhe arritën të shënonin në minutën e 118-të, kur përsëri realizues ishte Mbappe nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndeshja doli të jetë më e “çmendur” se sa u mendua në fund, kur fillimisht Lautaro Martinez pati një rast të artë në sekondat e fundit, pastaj menjëherë në aksionin pasues, Kolo Muani nuk shënoi gjithashtu i vetëm përballë portierit.

Në ekzekutimin e penalltive, argjentinasit shënuan me anë të Messi, Paredes, Dybala dhe Montiel.

Kurse te francezët gabuan Tuchuameni dhe Coman, ndërsa shënuan Mbappe dhe Kolo Muani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore