
Kryetari i komunës së Gjakovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, është betuar si i pari i kësaj komune për mandatin e dytë të tij.
Pas betimit, Gjini gjatë fjalimit të tij, ka theksuar se me ndihmën e qytetarëve është i gatshëm që të vazhdojë punën.
“Jam gati të vazhdojmë punën edhe më të mirë për komunën tonë, do të nevojitet mbështetja e secilit prej jush, nuk ka kryetar komune qe mundet t’i kryejë të gjitha punët e veta nëse nuk e ka edhe mbështetjen e njerëzve të zgjedhur të Komunës”, është shprehur ai.
Sipas tij, një ndër sfidat e tij si kryetar i kësaj komune me të cilën është ballafaquar është pandemia me COVID-19.
“Mirëpo përkundër problemeve, përkundër sfidave edhe përkundër asaj që mundet me u quajt si ngatërresë në sistemin qeverisës sërish Komuna e Gjakovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Sukseset e Komunës njihen gjithandej dhe unë jam i bindur që do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, ka thënë ai.
Ardian Gjini në zgjedhjet e 14 nëntorit, arriti të fitojë me 55.97 për qind të votave të përgjithshme.
Ai në balotazh ishte me kundër kandidaten e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila arriti t’i marrë vetëm 44.03 për qind.

Në anën tjetër, Kryetari i ri i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj nga Partia Demokratik e Kosovës, ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e të parit të kësaj komune, gjatë ditës së hënë të gjashtë dhjetorit.

Përmes një ceremonie solemne, Kryetari i deritanishëm i Prizrenit, Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar detyrën kryetarit të ri Totaj.
Totaj potencoi se do të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit Komunal, emërimin e drejtorëve të rinj dhe më pas të bëhen punë të mira.
Tutje, kryetari i ri i Prizrenit premtoj se do të jetë transparent dhe i gatshëm për bashkëpunim.
“Dua të premtoj që ne do të jemi transparent, të qasshëm, do të jemi të gatshme të bashkëpunojmë, që e ardhmja e Prizrenit të jetë akoma më e mirë sesa që është tani”, u shpreh Totaj.
/Albanianpost.com-
Ambasada amerikane në Kosovë ngre në gjysmështizë flamurin për të nderuar viktimat e Teksasit
-
Muja, kundërshtar i pakompromis i tërheqjes së 30% të Trust-it: “Do ta kundërshtoj fuqishëm edhe në Kuvend”
-
Familjarët në zi për fëmijët e vrarë në shkollën e Texas-it
-
“Shqipëria mirëpret nga ajri dhe deti mysafirët e finales evropiane”