Arben Ahmetaj ministër i krizave, por dhe Komisioneve

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
25.07.2022 10:01
Loading Icons...

Për herë të dytë i shkarkuar në Qeverinë Rama.

Sot më 25 korrik, Arben Ahmetaj, zyrtarisht nuk është më zëvendëskryeministër, por as ministër i Shtetit për Rindërtim.

Kjo pasi ai u shkarkua nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, me arsyen se vendi duhet të ketë prioritet menaxhimin e energjisë.

Ahmetaj është deputet i Parlamentit shqiptar që prej shtatorit të vitit 2009.

Ai spikati fillimisht në nisjen e karrierës së tij politike përballë ish-kreut të demokratëve, Lulzim Basha, kur në vitin 2005 garoi përballë tij në sistemin mazhoritar në njësinë numër 7 në Tiranë.

Pavarësisht humbjes përballë Bashës, gara e Ahmetajt u vlerësua menjëherë.

Në vitin 2009, ai u zgjodh për herë të parë deputet në qarkun e Korçës.

Prej asaj dite, Ahmetaj ka qenë pjesë përbërëse e Grupit Parlamentar socialist.

Rritja e tij erdhi graduale si brenda PS-së, ashtu edhe brenda Qeverisë.

Në periudhën 2013-2016, ai mbajti postin e ministrit të  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Më pas, prej shkurtit 2016 deri në janar 2019, ai mori në dorë financat e shqiptarëve.

Prej dhjetorit 2019 mori rolin e ministrit të Shtetit për rindërtimin. Ndërsa ushtroi dhe funksionin e zëvendëskryeministrit.

Pas zgjedhjes së tij si ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ai lë mandatin e deputetit dhe iu kushtua punës me biznesin.

Asokohe ai hartoi ligjin për fasonët dhe nis një fushatë lobimi për të thithur investime të mëdha të huaja në vend.

Por jeta politike e Ahmetajt ka qenë e rrethuar me hije akuzash nga opozita shqiptare, por jo vetëm.

Ke vrarë më shumë se pandemia", Ahmetaj akuza Berishës: Si guxon të vish - 5 Pyetjet

Ahmetaj dhe lakimi i emrit me Inceneratorët

Nga opozita ai do të akuzohej shpesh “për takimet e tij” me të kërkuarin e drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, Klodian Zoto.

Akuzat do të mohoheshin nga Ahmetaj në dëshminë e tij dhënë në Komisionin Hetimor.

Nga aty, ai do të theksonte se kishte vetëm njohje të largët me Zoton.

Por kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte kontakte me Mirel Mërtirin.

Ky i fundit i kërkuar po ashtu nga drejtësia, i lidhur ngushtë me firmëtarët zyrtarë të dy prej kontratave, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Më 16 korrik 2017 Ahmetaj dhe tre burra të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim treditor, kur për një çast gjithçka u kthye përmbys.

Ata po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, kur u përfshinë në një aksident të dyfishtë.

Pas aksidentit u bë me dije se ministri po udhëtonte me Mërtirin në të njëjtin automjet.

Ahmetaj do të ravijëzonte se Ministria e Ekonomisë – asokohe e drejtuar nga ai- nuk ka pasur tagër për të dhënë mendim mbi një procedurë apo draft dhe as të përfshihet në dhënien e Partneritetet Publike Private (PPP).

Por, ministri para Ahmetajt në dikasterin e Ekonomisë, Shkëlqim Cani, do të shprehej se ishte larguar nga detyra pasi nuk aprovoi kërkesat për funksionimin e inceneratorëve.

Po negociojmë me Anglinë", Arben Ahmetaj tregon se kush po na ndihmon për vaksinimin e shqiptarëve - Politike

Procesi i rindërtimit

Ahmetaj si figurë e kabinetit Qeveritar do të mbahet mend si ministër i menaxhimit të krizave, përkatësisht tërmetit, COVID-19 dhe tashmë energjisë, rrugë që e la në gjysmë.

Ai ka menaxhuar fondet e shtetit dhe të Bashkimit Evropian për procesin e rindërtimit në Shqipëri.

Ashtu siç pati premtuar gjurma e tërmetit në vend u zhduk këtë vit.

Në shumicën e qyteteve procesi i rindërtimit pati përfunduar dhe banorët ishin pajisur me çelësat e shtëpive të reja.

Ndërsa sa i takon energjisë ai përpara se të shkarkohej njoftoi se 30 milionë euro do të përdoren për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë.

“Sapo kaluam një draft marrëveshje që ka marrë formën e marrëveshjes me Italinë. Ka të bëjë me angazhimin e qeverisë italiane në raport me konferencën e donatorëve për rindërtimin”.

Nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm një muaj para shkarkimit ai njoftoi se qeveria po mendon të shpërndajë një tjetër paketë ndihme për shtresat në nevojë në shtator.

Sot Ahmetaj nuk e ka komentuar vendimin e kryeministrit Rama, dhe pse të gjithë thonë se mes tyre ka pasur një “ftohje” pasi nuk janë parë në shoqërinë e njëri – tjetrit prej kohësh.

Por për kryeministrin e gjitha është një cikël dhe nuk ka arsye të tjera pas këtij  vendimi.

Pavarësisht se motivimet e shkarkimit lidhen me prioritetet “e reja” të qeverisë, një gjë është e sigurt.

Balluku ka parakaluar në hierarki pikërisht Ahmetaj.

Në politikë gjithçka mund të ndryshojë shume shpejt dhe, jo vetem prioritetet.

Ahmetaj duket se e ka përfunduar – një herë e mirë – misionin e tij në Qeverinë Rama.