Sport

Arb Manaj do ta vazhdojë karrierën në Kroaci


Futbollisti kosovar, Arb Manaj, do ta vazhdojë karrierën në ligën e Kroacisë, derisa është transferuar te skuadra Slaven Belupo.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kroat, të cilët konfirmuan se kanë arritur marrëveshje me skuadrën që kishte në pronësi Manajn, Ankara Keciörengücü, derisa me futbollistin kanë nënshkruar kontratë dy-vjeçare.

“Arb Manaj është lojtari i ri i Slaven Belupo. Ai nënshkroi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi dhe do të ketë të drejtë të luajë për ekipin tonë nga ndeshja me Osijek-un”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e klubit.

Lidhur me këtë transferim ka folur edhe vetë futbollisti nga Klina, i cili është ndjerë i lumtur dhe mezi pret që të jap kontributin e tij.

“Jam i lumtur që kam nënshkruar kontratë me Slaven Belupo. Besoj se do të përshtatem shpejt me skuadrën dhe do ta ndihmoj të arrijë rezultatet më të mira të mundshme me paraqitjet e mia”, ka thënë mes tjerash Manaj.

Kujtojmë që 24-vjeçari e nisi karrierën te Dukagjini në Klinë, e më pas edhe për Trepçën’89 luajti në Kosovë.

Pastaj ai u transferua në ligën e dytë të Turqisë te skuadra e Keciörengücü, pastaj luajti në huazim edhe te Balikesirspor, Bandirmaspor.

Duhet theksuar se Manaj numëron edhe tre paraqitje zyrtare për Kosovën, ku ka gjetur rrugën e rrjetës në një ndeshje miqësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore