Lajme

Aq shumë kokainë ka sekuestruar Ekuadori, sa po e përdor si çimento për ndërtim


Që Ekuadori është kthyer në një xhungël të vërtetë të prodhimit dhe tregtimit të kokainës, kjo ka qenë e ditur prej kohësh, por habia më e madhe është se aq shumë lëndë narkotike po kapet çdo ditë atje, sa është e pamundur të ruhet nëpër magazina.

Zgjidhja? Të kthehet në beton për ndërtim!

Duket e habitshme por është krejtësisht e vërtetë, ku tonelata të tëra kokaine, dërgohen nga autoritetet rregullisht çdo javë në një punishte, ku më pas bluhet me mbetje të tjera, përzihet me çimento, rërë dhe ujë dhe krijon një strukturë betoni të përkryer, në mënyrë që të përdoret për ndërtime të reja.

Kjo metodologji e përdorimit të kokainës është e njohur në fakt dhe njihet si inkapsulim.

Edhe vetë Kombet e Bashkuara, e mbështesin këtë metodë të asgjësimit të drogës së fortë, e cila mundet të shërbejë në të mirë të komunitetit.

Pavarësisht se kokaina përbëhet nga kimikate tejet të forta, ajo nuk paraqet rrezik për njerëzit, kur përpunohet në këtë formë dhe përdoret për të formuar lëndën e betonit.

Me të kryesisht nuk vishen muret, por dyshemetë e ndërtesave.

Në terma të përgjithshëm, leverdia e përdorimit të kësaj metodologjie është edhe ajo kohore, pasi për të përpunuar në të tillë mënyrë kokainën, duhet katër herë më pak kohë se për ta djegur atë dhe efekti i asgjësimit, është teknikisht i njëjti, pasi ajo bëhet e pakonsumueshme.

Vetë autoritetet në Ekuador e kanë cilësuar një sukses të madh përdorimin e kësaj teknike, kur kuintalët e drogës, çdo ditë, pa ndërprerje, kapen prej Policisë, si pjesë e një fushate të shtuar të luftës kundër narkotikëve në shtetin e gjendur në Amerikën e Jugut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore