Aplikacione

Apple-i, vend tjetër reklamash në App Store


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, planifikon të shtojë një vend të dytë reklamimi në seksionin e aplikacioneve të sugjeruara në faqen e kërkimit në App Sore.

E përditshmja, Financial Times, zbulon përmes një burimi që e njeh çështjen se vendi i ri kushtuar reklamave do të hapet në fund të muajit dhe do t’u lejojë reklamuesve të promovojnë aplikacionet e tyre në të gjithë rrjetin dhe jo vetëm në përgjigje të kërkesave specifike.

Kjo konsiderohet si shenja e parë që jep Apple-i për të sinjalizuar zgjerimin e biznesit të saj të reklamave. Dhe shenja vjen në të njëjtën kohë kur trondit industrinë e gjerë të reklamave digjitale prej 350 miliardë dollarëshe të udhëhequr nga Facebook-u dhe Google-i.

Përpjekjet e Apple-it në biznesin e reklamave janë të kahershme. Kompania pagoi 275 milionë dollarë në vitin 2010 për të blerë Quattro Wireless, kompani reklamash për celularë.

Gjatë të njëjtit vit, Apple-i nisi edhe një përpjekje shumëvjeçare të quajtur iAd për ndërtimin e një biznesi reklamash. Kjo përpjekje kishte në fillimet e veta një çmim minimal të kontratës prej një milion dollarë, mirëpo brenda vitit kërkesa ra përgjysmë.

Apple-i dy vite më pas e shkurtoi kontratën minimale në 50 dollarë dhe në vitin 2016 përpjekja mori fund.

Por, tregu i reklamave kësaj here ka marrë vëmendje të madhe duke u kryesuar nga Facebook-u dhe Google-i, të cilët janë sulmuar vazhdimisht nga Tim Cook, shefi ekzekutiv i Apple-it, për modelin e tyre të biznesit. Kjo për mënyrën se si ata mbledhin të dhënat për të synuar reklamat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore