Aplikacione

Apple-i, plane për të lejuar sisteme alternative pagesash në Korenë e Jugut


Në Korenë e Jugut, rregullatori i telekomunikacionit ka thënë se kompania Apple ka paraqitur plane për të lejuar sistemet e pagesave të palëve të treta në App Store.

Kjo, në mënyrë që kompania të pajtohet me një ligj vendas, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ligji në fjalë ndalon operatorët kryesorë të dyqaneve të aplikacioneve të detyrojnë zhvilluesit e software-it të përdorin sistemet e tyre të pagesave.

Lëvizja vjen pasi Komisioni i Komunikimit të Koresë (KCC) i ka kërkuar Apple-it dhe Google-it të paraqesin plane përputhshmërie pasi ligji u miratua në gusht të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi në shtator.

Në muajin nëntor, Google-i njoftoi planet e veta për të lejuar sistemet alternative të pagesave në Korenë e Jugut që të jenë në përputhje me të ashtuquajturin “ligji anti-Google”.

“Mezi presim të punojmë me KCC-në dhe komunitetin tonë të zhvilluesve për një zgjidhje që të përfitojnë përdoruesit tanë koreanë”, ka thënë Apple-i në një deklaratë.

Megjithatë, kompania amerikane nuk ka dhënë detaje të tilla si afati kohor se kur do të hyjnë në fuqi sistemet e reja të pagesave apo tarifat e komisionit.

Sipas rregullatorit, Apple- i planifikon të diskutojë detaje të mëtejshme me KCC-në.

Dhe se kompania planifikon të lejojë sisteme alternative të pagesave për një tarifë shërbimi më të ulët kundrejt komisioneve aktuale prej 30 për qind.

Në Shtetet e Bashkuara, Apple-i po kalon një proces gjyqësor të ngritur nga krijuesi i Fortnite i Epic Games në vitin 2020, kur krijuesi i lojërave u përpoq të kapërcejë tarifën 30 për qind për blerjet përmes aplikacionit.

Ai e bëri këtë duke nisur një sistem pagese brenda aplikacionit, tregon “Reuters”.

Vitin e kaluar, një gjykatës amerikan urdhëroi Apple-in të ndryshojë rregullat në App Store, të cilat ndalojnë zhvilluesit të përfshijnë lidhje me sistemet e jashtme të pagesave në vend që të përdorin ato të Apple-it.

“Shpresoj që lëvizja e Apple-it në Korenë e Jugut të mos jetë një hapje tjetër e rreme e sistemeve të pagesave siç njoftoi Google-i së fundmi”, ka thënë në një postim në Twitter, shefi ekzekutiv i Epic Games, Tim Sweeney.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore