Pajisje

Apple-i paguan miliona për incidentin e teknikut


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, i ka paguar një zgjidhje marrëveshjeje shumë milionëshe një gruaje, fotot dhe videot e së cilës janë shpërndarë në internet nga teknikët që kanë riparuar iPhone-in e saj.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se foto dhe video të qarta u ngarkuan në platformën Facebook dhe media të tjera dhe u dukën sikur ishin postuar nga vetë gruaja.

Për sa i përket Apple-it, ai nuk u përmend në procesin gjyqësor, por përfshirja e kompanisë doli në dritë nga një çështje që s’kishte lidhje.

Mirëpo, tanimë Apple-i e ka konfirmuar incidentin dhe ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur.

“Ne e marrim privatësinë dhe sigurinë e të dhënave të klientëve tanë jashtëzakonisht seriozisht dhe kemi një numër protokollesh për të siguruar që të dhënat janë të mbrojtura gjatë gjithë procesit të riparimit”, ka thënë Apple-i në një deklaratë.

Gjithashtu ka shtuar se “kur mësuam për këtë shkelje të egër të politikave tona nga një prej shitësve tanë në 2016-n, ne morëm masa të menjëhershme dhe që atëherë kemi vazhduar të forcojmë protokollet tona të shitësve”.

I raportuar fillimisht nga Telegraph-i, incidenti ka ndodhur pesë vite më parë kur një grua që studionte në Universitetin e Oregon-it dërgoi iPhone-in e saj për riparim te Pegatron Technology Service, një kontraktor riparimi i Apple-it.

Thuhet se Apple-i  e ka hetuar rastin dhe ka pushuar nga puna dy teknikët e përfshirë, gjithashtu thuhet se ka kërkuar konfidencialitet.

BBC shkruan se roli i kompanisë amerikane në këtë çështje u identifikua vetëm gjatë një lufte ligjore midis Pegatron-it dhe siguruesve të saj, për kompensimin që i pagoi Apple-it.

Në një rast të ngjashëm të ndodhur në vitin 2019, një punonjës i Apple Store-it dyshohet se i dërgoi vetes një foto intime të një gruaje, marrë nga telefoni i saj pasi mori pajisjen për t’u riparuar. Menjëherë pas kësaj, Apple-i nisi një hetim dhe deklaroi se individi i përfshirë nuk ishte më në kompani.

Nga ana tjetër, pritet që incidenti i fundit t’i shtojë peshë lëvizjes në rritje të së Drejtës për Riparim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që argumenton se pajisje të tilla si iPhone-i nuk duhet të bllokohen në dyqanet zyrtare të riparimit.

Legjislacionin për të Drejtën e Riparimit e kanë propozuar afro 20 vende. Ai do ta detyronte Apple-in dhe prodhuesit e tjerë të vinin në dispozicion mjete dhe pjesë për teknikët e palëve të treta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore