Pajisje

Apple-i do të prodhojë iPhone 14 në Indi


Kompania Apple do ta prodhojë smartphone-in e ri në Indi, pasi kërkon të diversifikojë prodhimin larg varësisë nga Kina.

Zinxhiri i furnizimit me iPhone është i bazuar kryesisht në Kinë, por analistët janë të mendimit se politikat e vendit kundër COVID-it dhe tensionet me SHBA-të e kanë dëmtuar prodhimin.

“Jemi të ngazëllyer që do të prodhojmë iPhone 14 në Indi”, ka zbuluar përmes një deklarate Apple-i.

Me bazë në Kaliforni, kompania prodhon tashmë modele të vjetra iPhone-i në Indi nëpërmjet prodhuesve tajvanezë si Foxconn, e cila ka një fabrikë në shtetin jugor Tamil Nadu.

Sakaq, ky njoftim i fundit vjen vetëm disa javë pasi Apple-i prezantoi telefonat e rinj inteligjent.

Kompania po e nis prodhimin e iPhone 14 në Indi shumë më herët se sa modelet e mëparshme, sipas analistit Sanyam Chaurasia.

“Gjatë dy viteve të fundit, ajo ka qenë gjithnjë e më shumë duke diversifikuar zinxhirin e saj të furnizimit në Indi”, ka dalluar ai.

Po ashtu ka treguar se afro 7.5 milionë iPhone – rreth tre për qind e prodhimit global të Apple-it – janë prodhuar në Indi vitin e kaluar.

“Presim që prodhimi vendor i iPhone-ve mund të arrijë më shumë se 11 milionë këtë vit”, ka vijuar ai.

Nga ana tjetër, kjo do të jetë një nxitje për strategjinë e kryeministrit Narendra Modi, “Make in India”, ku u ka kërkuar bizneseve të huaja të prodhojnë mallra në vendin e Azisë Jugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore