Pajisje

Apelimi i Amazon-it lidhur me mosmarrëveshjen ligjore me Future-in


Kompania Amazon ka apeluar mbi vendimin e agjencisë kombëtare antitrust të Indisë që ka caktuar pezullimin e një marrëveshjeje të vitit 2019 midis Amazon-it dhe Future-it.

Kjo ka ardhur pasi muajin e kaluar, Komisioni i Konkurrencës i Indisë (CCI) pezulloi miratimin e marrëveshjes mes dy palëve.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kjo ka penguar përpjekjet e gjigantit amerikan të tregtisë elektronike për të bllokuar shitjen e aseteve me pakicë të Future-it te Reliance Industries.

Ky pezullim e tronditi Amazon-in pasi më pas një gjykatë e New Delhi-t ndaloi procedurat e arbitrazhit midis dy palëve.

Prandaj dhe kompania ka paraqitur një apel kundër vendimit të pezullimit të CCI-së në Gjykatën Kombëtare të Apelit për Ligjin e Kompanive të Indisë.

Kompania gjithashtu ka paraqitur një apelim në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të gjykatës së Delhi-t, në të cilin gjyqtarët thanë se procedurat e arbitrazhit Future-Amazon duhet të qëndrojnë në pritje deri më 1 shkurt.

Këto janë sfidat më të fundit në mosmarrëveshjen ligjore që ka përfshirë Amazon, Future dhe Reliance mbi atë që shihet si një betejë për epërsinë e shitjes me pakicë në tregun e konsumit të Indisë.

Reliance dëshiron të zgjerojë gjurmën e saj duke blerë Future-in, por Amazon-i i ka thënë organit antitrust të Indisë se beson se pozicioni i konsoliduar i Reliance “do të kufizojë më tej konkurrencën në tregun indian me pakicë”.

Prej kohësh, Amazon-i ka argumentuar se Future-i ka shkelur kushtet e marrëveshjes së vitit 2019 në vendosjen për të shitur asete me pakicë te Reliance.

Por pasi CCI-ja pezulloi miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se Amazon-i fshiu informacionin teksa kërkonte leje për marrëveshjen, Future-i ka argumentuar se Amazon-i nuk ka më asnjë bazë ligjore për të ndjekur mosmarrëveshjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore