Gjykata Speciale

Apeli refuzon ankesën e Januzit për lirim të përkohshëm


Sabit Januzi.

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka refuzuar ankesën e Sabit Januzit për lirim të përkohshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur DhSK-ja, përmes një njoftimi për media.

“Më 5 shkurt 2024, Kolegji i Gjykatës së Apelit refuzoi ankesën e Sabit Januzit kundër venSadimit të gjyqtarit të procedurës paraprake që refuzoi kërkesën e tij për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar dosjen e procedurës paraprake në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.

“Në përputhje me Rregullën 95 (4), Dokumenti i Procedurës Paraprake përbën një përmbledhje të provave që ZPS synon të paraqesë për të provuar rastin e saj, dhe provat e cituara aty nuk janë shteruese”.

“Dokumenti i Procedurës Paraprake depozitohet si konfidencial për të mbrojtur masat mbrojtëse të autorizuara më parë. ZPS do të paraqesë një version publik të redaktuar në kohën e duhur”, thuhet në parashtrimin e kryeprokurores së Specializuar, Kimberly West.

Njoftimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Më 1 shkurt, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtijarit.

Vendimin e ka kumtuar Doyle, përmes informimit javor ku ka thënë se vendimi është marrë pasi ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset.

“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, më 29 janar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtjarit. Gjykatësi konstatoi se ekziston rrezik i moderuar që i akuzuari të arratiset, si dhe arsye të artikulueshme për të besuar se z. Bahtjari mund të pengojë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejë krime të tjera”, tha Doyle.

Sa i përket seancave që janë mbajtur javën e kaluar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ai theksoi se nga dëshmitaret u pretendua për vrasjet që janë bërë nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore