Lajme

Apeli refuzon ankesën e Hajdarit


Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores e cila kishte shpallur fajtore më 23 tetor dhe e kishte dënuar me 200 euro gjobë pasi e pati goditur një vajze të mitur (9 vjeçare) me veturë.

Apeli sipas aktgjykimit të 15 dhjetorit të publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, refuzoi si të pabazuar ankesën e ministres Hajdari të paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë, kurse u hodh poshtë si e palejuar ankesa e përfaqësuesit me autorizim të të dëmtuarës I.B., avokatit Florim Shefqeti.

Sipas ankesës, pretendohej se është bërë vlerësim i gabuar i fakteve për shkaktarin dhe shkaqet e aksidentit.

“Nuk janë përshkruar veprimet e ndërmarra të miturës I.B, dhe nuk është përshkruar fare pjesëmarrja e këmbësorit tjetër i cili nuk ka pësuar lëndime. Gjykata e Shkallës së Parë, gabimisht ka vërtetuar se si shkaktare e lëndimit ka qenë e pandehura duke e gjetur të njëjtën përgjegjëse për kryerjen e veprës kundërvajtëse”, citohet të thuhet në ankesë.

Rozeta Hajdari dënohet vetëm me 200 euro gjobë për goditjen e 9 vjeçarës me veturë

Me 10 prill 2022, Hajdari pasi kishte goditur me veturë një vajzë të mitur (9) kishte deklaruar në Policinë e Kosovës se “i kam vërejtur dy fëmijë duke dalur me vrap nga Merdian market”, derisa para trupit gjykues të premten e 13 tetorit ajo e kishte ndryshuar krejtësisht deklarimin duke thënë se “nuk i kam parë duke dalë nga marketi”.

Por, ky s’ishte ndryshimi i vetëm i Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ajo kishte hequr dorë krejtësisht nga çfarë ka deklaruar në polici. E pajisur me avokat mbrojtës – të dytin pas shkarkimit të atij që e kishte – Hajdari e kishte transformuar krejtësisht deklaratën e saj fillestare.

Në transkriptin e seancës që e kishte siguruar Albanian Post, avokati i familjes së vajzës së goditur me veturë, Florim Shefqeti, i kishte kërkuar Hajdarit ta ri-konfirmoj deklaratën e saj të parë edhe sa u përket kushteve kohore të cilat i kishte përshkruar ajo në momentin kritik dhe gjithashtu veprimeve të saj.

Ministrja prapë i kishte ndryshuar fjalët. Nuk përputhej as përshkrimi i veprimeve të ministres të cilat i kishte deklaruar në polici ditën e aksidentit.

Derisa në prill të vitit të kaluar kishte thënë se kur ka parë fëmijën t’i dalë para ka vepruar me “shmangie dhe frenim duke u zhvendosur në shiritin tjetër të rrugës”, në seancën e tretë ministrja deklaroi se “nuk kam lëvizur nga shiriti i rrugës”.

Ajo ishte pyetur sërish se “a keni frenuar para aksidentit?”, por thoshte se “refuzoj të përgjigjem”. Hajdari ndërroi edhe atë që kishte thënë për kushtet atmosferike të ditës së aksidentit.

Derisa në polici kishte pohuar se “ka qenë ditë me shi”, pas daljes së videos së aksidentit dhe pamjeve të një dite të thatë, ajo pohonte se “nuk ishte ditë me shi, por e vranët”.

E ballafaquar me ndryshime të tërësishme nga deklarimi i saj fillestar, Hajdari ishte arsyetuar duke pohuar se “ajo deklaratë ka qenë pas aksidentit dhe kam qenë shumë e shqetësuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore