Lajme

Apeli i Papa Françeskut: Në Gaza fiton vetëm vdekja, nuk ka paqe pa zgjidhjen me dy shtete


“Nuk do të lodhem duke përsëritur thirrjen time, drejtuar veçanërisht atyre me përgjegjësi politike: ndaloni menjëherë bombat dhe raketat, jepini fund qëndrimeve armiqësore. Kudo. Lufta është gjithmonë dhe vetëm një humbje. Për të gjithë. Të vetmit që përfitojnë janë prodhuesit dhe trafikantët e armëve. Një armëpushim global është i nevojshëm urgjentisht: ne nuk po e kuptojmë se jemi në buzë të humnerës”.

Kështu është shprehur Papa Françesku në një intervistë për të përditshmen italiane “La Stampa”.

Duhet të dallojmë dhe të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me termat, sipas tij, sa i përket “luftës së drejtë”.

“Nëse hajdutët hyjnë në shtëpinë tuaj për t’ju grabitur dhe për t’ju sulmuar, ju mbroni veten. Por nuk më pëlqen ta quaj këtë reagim ‘luftë e drejtë’, sepse është një përkufizim që mund të shfrytëzohet. Është e drejtë dhe legjitime të mbrohesh, po. Por, le të flasim për vetëmbrojtje, në mënyrë që të shmangim justifikimin e luftërave, të cilat janë gjithmonë të gabuara”.

Mbi situatën në Izrael dhe Palestinë, Papa shprehet se konflikti po zgjerohet në mënyrë dramatike.

“Ishte marrëveshja e Oslos, shumë e qartë, me zgjidhjen me dy shtete. Derisa të zbatohet kjo marrëveshje, paqja e vërtetë mbetet e largët”.

Më shumë nga të gjitha ai i druhet përshkallëzimit ushtarak.

“Konflikti mund të përkeqësojë më tej tensionet dhe dhunën që tashmë shënjojnë planetin. Por në të njëjtën kohë në këtë moment po kultivoj pak shpresë, sepse po zhvillohen takime konfidenciale në përpjekje për të arritur një marrëveshje. Një armëpushim tashmë do të ishte një rezultat i mirë”.

Sipas tij, një figurë vendimtare në këtë fazë të përplasjeve në Lindjen e Mesme është Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku i Jeruzalemit i Latinëve.

“Ai është i madh. Ai lëviz mirë. Ai po përpiqet me vendosmëri të ndërmjetësojë. Të krishterët dhe njerëzit e Gazës kanë të drejtën e paqes”.

Sakaq, misioni i Vatikanit për konfliktin në Ukrainë i është dhënë kardinalit Matteo Zuppi, president i Konferencës Ipeshkvnore Italiane.

“Ai është i mirë dhe ekspert, po kryen punë të vazhdueshme dhe të durueshme diplomatike për të lënë mënjanë konfliktet dhe për të ndërtuar një atmosferë pajtimi. Ai shkoi në Kiev dhe Moskë, dhe më pas në Washington dhe Pekin. Selia e Shenjtë po përpiqet të ndërmjetësojë shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e civilëve ukrainas”.

Por cilat janë shtyllat mbi të cilat mund të ndërtohet paqja botërore?

“Dialog. Dialogu. Dialogu”, përsërit Papa.

“Dhe pastaj, kërkimi i frymës së solidaritetit dhe vëllazërisë njerëzore. Nuk mund të vrasim më njëri-tjetrin mes vëllezërve dhe motrave! Kjo nuk ka kuptim!”.

Sa rëndësi ka lutja dhe a mund të ketë ndikim teksa bota po digjet?

“Lutja nuk është abstrakte! Është një luftë me Zotin për të na dhënë diçka. Lutja është konkrete, e fortë. Lutja ka rëndësi! Për shkak se përgatit rrugën drejt paqësimit, troket në derën e zemrës së Zotit që ai të ndriçojë dhe t’i çojë njerëzit drejt paqes”.

“Paqja është një dhuratë që Zoti mund të na japë edhe kur duket se lufta po mbizotëron në mënyrë të pashmangshme. Kjo është arsyeja pse unë insistoj në çdo rast: ne duhet të lutemi për paqe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore