Gjykata Speciale

Anulohet seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 28 shkurt


Ilustrim

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës njoftuan të hënën se seanca e paraparë për të martën (27 shkurt) në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) është anuluar, ndërsa e njëjta është shtyrë për të mërkurën (28 shkurt). Për javën e fundit të shkurtit ishin paraparë të mbahen tri seanca gjyqësore.

Charles Smith, kryetari i trupit gjykues në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – njoftoi se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën përmes video-lidhjes. Nuk dihet nëse seanca e paraparë për 28 shkurt do të jetë e hapur për publikun.

Nga mbi 300 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, deri tani janë dëgjuar 47 dëshmitarë – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – ndërsa të mërkurën pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 48-të në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për vrasje, torturë e trajtim mizor, në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999. Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore