Kosova

Anulohet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit


Kryesia e Kuvendit.

Mbledhja e Kryesisë e cila ishte planifikuar të mbahet të hënën është anuluar, pas shpalljes Ditë Zie shtetërore pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Kjo është bërë me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Kuvendi i Kosovës.

“Me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, mbledhja e Kryesisë, e paraparë për sot, anulohet, sipas Vendimit të Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, për shpalljen e zisë shtetërore në Republikën e Kosovës, ditën e hënë, 25.09.2023”, thuhet në njoftimin e Kuvendit në faqen zyrtare në Facebook.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

Dita e hënë (25 shtator) është ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Republika në zi kombëtare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore