Libra

Annie Ernaux: Në vendin tim racizmi është endemik, emigrantët nuk konsiderohen francezë


“Aty ku jetoj unë, u shkatërruan tre stacione autobusi dhe makina të parkuara në një garazh”.

Annie Ernaux, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2022, kur flet për trazirat që kanë kapluar vendin e saj ditët e fundit, shpjegon se trazira ka pasur edhe në Cergy-Pontoise.

Një qytet i vogël ku shkrimtarja franceze ka jetuar që nga vitet 1970, i vendosur në veriperëndim të Parisit.

Për një nga autoret më të rëndësishme të skenës letrare ndërkombëtare, shkatërrimi i disa vendeve publike është “më pak i kuptueshmi”.

Ernaux do të dalë në Itali në nëntor me “Perdersi”, një libër ku rrëfen marrëdhënien me një diplomat rus që ndodhi në fund të viteve 1980.

Një ditar personal, ku eksplorohet intimiteti dhe pasioni i asaj marrëdhënieje.

Sipas saj, trazirat kryhen nga të rinjtë e ardhur nga emigracioni, të brezit të dytë, të tretë apo të katërt, veçanërisht ai i Afrikës Veriore.

“Si një franceze dhe një grua e bardhë jam e vetëdijshme se nuk mund ta vendos veten në pozicionin e tyre, gjë që është shumë e vështirë. Duke thënë këtë, unë nuk e justifikoj dhunën”.

“Por situata aktuale tregon se si zgjat ndikimi i kolonizimit francez, sepse këta janë njerëz që nuk konsiderohen si francezët e tjerë. Në këtë vend ekziston një racizëm endemik që nxitet nga një gjuhë e caktuar”.

Ajo mendon se tani ka ardhur koha që francezët të pyesin veten se si të veprojnë, sepse deri më sot nuk është bërë shumë.

“Ky është problemi i vërtetë sepse ndërkohë është një person që qëndron aty dhe pret, si një merimangë në rrjetë: është Marine Le Pen. Nëse do të kishte zgjedhje sot, rezultati do të ishte i tmerrshëm”.

Ernaux lindi dhe u rrit në një mjedis modest në Normandi.

Por a e shtyn atë e shkuara që të ketë ndjeshmëri për këta të rinj që vijnë nga periferitë e qyteteve të mëdha, jetojnë në kontekste të vështira dhe shpesh shumë të varfra?

“Unë mund ta kuptoj përbuzjen e klasës, por ajo që ata përjetojnë është përbuzja racore në shoqërinë franceze. Mund të ndaj me ta faktin që nuk më konsideronin si të tjerët, por unë jam emigrante nga brenda, ndërsa ata nga jashtë”.

“Në kohën time, ata si unë e jetonin situatën e tyre individualisht, në mënyrë të vetmuar secili në turpin e tij shoqëror. Tani, ne jemi dëshmitarë të një lëvizjeje kolektive”.

Ajo ra në kontakt me të rinjtë petits blancs kur ishte mësuese në Cergy-Pontoise në fund të viteve 1970.

Tanimë, mendimi i saj është se djemtë dhe vajzat e sotme që jetojnë në ato zona në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre të atëhershëm ndryshojnë tepër.

Në atë kohë, sipas autores, kishte shumë tensione midis emigrantëve dhe atyre që quheshin petits blancs, një term që përdoret për të treguar qytetarët francezë të klasave më të varfra, të cilët nuk janë pasardhës nga imigracioni dhe jetojnë në zona rurale ose periferike.

“Është një tension social që ka ekzistuar gjithmonë në Francë. Pas luftës së Algjerisë, shumë algjerianë erdhën për të punuar me familjet e tyre. Mendoj se shumë në Francë çuditërisht prisnin që ata të qëndronin përkohësisht, por në fund ata qëndruan”.

Nga ana tjetër, ajo vëren se mes kryengritësve të rinj ka një kulturë mashkullore, burrërie, e cila është shumë e fortë.

“Por ky element është i pranishëm edhe në të gjithë kulturën franceze, në një mënyrë më pak të dukshme, më pak të pretenduar. Dhe mbi të gjitha nuk shprehet me dhunë fizike”.

Për të një situatë e tillë nxjerr absolutisht në pah kulturën macho që është latente në të gjitha nivelet e shoqërisë.

“Ne e dimë se vajzat që vijnë nga ato prejardhje kalojnë më mirë në jetë sesa djemtë”.

“Arsyet janë të ndryshme, disa janë pozitive e disa negative. Ato e kanë zakon të jenë më të nënshtruara dhe të bindura. Në shkollë, janë më të vëmendshme, janë gati”.

Po ashtu Ernaux dallon se ato nuk kanë të drejtë të dalin, ndaj i kushtojnë kohën punës.

“Nga nënshtrimi i tyre relativ rrjedh një formë e përshtatjes me shoqërinë”.

Praktikisht, paradoks.

Edhe ajo e ka njohur këtë gjendje në mjedisin popullor nga vjen.

Autorja mendon se paçka se cilës kategori sociale i përket, dominimi mashkullor është i gjithëpranishëm, kalon dhe përshtatet në shoqëritë në të gjithë botën.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore