Lajme

Ankohet Szunyog i BE-së: BQK s’iu dha kohë serbëve të adaptohen me vendimin për dinarin


Tomasz Szunyog dhe Ahmet Ismaili

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, këtë të marte, ka takuar Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin, ku ndër temat e diskutuara ka qenë vendimi i fundit i këtij institucioni financiar, i cili vendosi se pagesat në Kosovë mund të bëhen vetëm me valutën Euro gjë që nga autoritete në Serbi një vendim i tillë u interpretua se gjoja Qeveria po ndalon përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, në Kosovë gjegjësisht në komunat të banuara me shumicë serbe.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në, X, diplomati çek pas takimit ka shprehur shqetësimet e tij, meqë siç ka konsideruar ai, “është paraparë shumë pak kohë që serbët të adaptohen me vendimin e këtij institucioni”.

Vendimi i BQK-së pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.

“E pyeta se si do të zbatohet, pasi pritet të ndikojë veçanërisht në jetën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog.

Ndryshe Beogradi, siç ka njoftuar i ashtuquajtur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka filluar bisedimet diplomatike për të parandaluar vendimin e BQK-së, e cila vendosi se pagesat në Kosovë mund të bëhen vetëm me valutën Euro dhe asnjë valutë tjetër.

Kundër vendimit të BQK-së u shpreh edhe Lista Serbe. Kjo parti, më 18 janar tha se ky vendim i shërben dëbimit të serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore