Shqipëria

Ankandi i parqeve eolike, kompania franceze ofron çmimin më të ulët


Ankandi për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji nga era është mbyllur me oferta të mira nga kompanitë pjesëmarrëse.

Oferta e kompanisë franceze, lider në botë në fushën e energjetikës, Total Eren, është më e çmueshmja. Rezultati shënon një tjetër çmim rekord për vendin dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kompania në fjalë ka ofruar çmimin 44.88 Euro/MWh dhe është paraqitur në ankand me një bashkim me kompaninë shqiptare KMW.

Sakaq, kompania austriake “Verbund” ka ofruar çmimin prej 74.95 Euro/MWh.

Kurse subjekti i tretë i kualifikuar që ishte bashkimi i përkohshëm i Shoqërisë shqiptare “BRD” Sh.p.k, me kompanitë turke “Guris Insaat Ve Muhendislik A.S”, dhe “Mogan Energy A.S” ka ofruar 74 Euro/MWh.

Kapaciteti total i tre projekteve është 222.48 MW.

Ky është ankandi i parë i këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Çmimi mesatar i përfituar nga kjo procedurë është shumë më i ulët nga çmimet mesatare të përftuara nga ankande të ngjashme për energjinë e erës.

Shqipëria nisi ankandin në vitin 2021, ku tenderin e drejtonte Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkaq, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ndihmuar autoritetet shqiptare të prezantojnë procese konkurruese prokurimi për projektet e energjisë së rinovueshme.

Gianpiero Nacci, drejtor i BERZH, ka thënë se “Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt përmbushjes së objektivave të saj për energjinë e rinovueshme dhe zbatimit të ankandeve”.

“Ne jemi shumë të kënaqur që kemi mbështetur ankandin e parë të erës në vend me vende të zgjedhura nga ofertuesit dhe presim me padurim të lançojmë ankandin diellor 300 MW”, ka treguar ai.

Sipas tij, ky sukses është një ndryshim i lojës për Shqipërinë, një dëshmi e asaj që mund të arrihet me kornizën e duhur të politikave.

Shqipëria ka udhëhequr rrugën në rajon duke zhvilluar ankandet e energjisë së rinovueshme për të përshpejtuar përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Që nga viti 2020, Shqipëria ka dhënë 240 MW energji diellore, me çmime rekord të ulëta në rajon dhe 222.48 MW nga era.

Ndërsa 300 MW të tjera energji diellore do të jepen në muajt e ardhshëm.

Çka e çon kapacitetin total të mbështetur nga BERZH përmes Programit të Energjisë së Rinovueshme në mbi 460 MW, që pasqyron rreth 20 për qind të kapacitetit total aktual të rrjetit të transmetimit të vendit.

Po ashtu BERZH po punon me qeverinë për të vlerësuar potencialin e erës në det të hapur të vendit, me synimin për të diversifikuar më tej përzierjen e energjisë, dhe vazhdon të punojë për përmirësime kyçe të kuadrit rregullator.

Programi i BERZH-it për Energjinë e Rinovueshme është një mjet për nxitjen e ndryshimeve sistematike duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe duke rritur pjesëmarrjen e sektorit privat në Shqipëri.

Ndërkohë, ankandet kanë tërhequr investitorë dhe zhvillues privatë të rinj, ndërkombëtarë dhe kombëtarë, duke rritur konkurrencën e sektorit.

Që nga ankandi i parë, numri i ofertave është rritur ndjeshëm, me zhvillues me reputacion të lartë ndërkombëtar dhe kombëtar që shprehin interes për procesin dhe rritjen e energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Gjithashtu Programi i Energjisë së Rinovueshme ka krijuar një kuadër rregullator më mbështetës dhe të qëndrueshëm dhe ka prezantuar procese transparente dhe konkurruese të ofertave për projektet e energjisë së rinovueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore