Euro 2024

Anglia përmbys Holandën dhe siguron finalen e Euro 2024


Anglia është Kombëtarja e dytë finaliste e Euro 2024 pas Spanjës. “Tre Luanët” mundën 2-1 me përmbysje Holandën mbrëmjen e kësaj të mërkurë në “Signal Iduna Park”.

“Signal Iduna Park” priti ndeshjen e dytë gjysmëfinaliste të Euro 2024 mes Holandës dhe Anglisë. Skuadra fituese tani do i bashkohet Spanjës në finalen e 14 korrikut në Berlin.

Anglia tani ka arritur në finale në dy nga katër turnetë e saj të mëdha nën drejtimin e Gareth Southgate (gjithashtu Euro 2020). Ata e kishin bërë këtë vetëm në një nga paraqitjet e mëparshme të Kupës së Botës/Euro (Kupa e Botës 1966) përpara qëndrimit të Southgate.

Anglia është gjithashtu skuadra e parë në historinë e Kampionatit Evropian që arrin në finale, pavarësisht se kishte mbetur në disavantazh fillimisht si në çerekfinale ashtu edhe në gjysmëfinale gjatë rrugës.

Ishte një ndeshje e nisur mjaft mirë nga Holanda, por më pas “Tulipanët” duhej t’i nënshtroheshin forcës së “Tre Luanëve”.

Xavi Simons realizoi golin e parë të sfidës në minutën e shtatë. Dhe, goli i tij është goli më i hershëm i shënuar në një gjysmëfinale të Euro-s që nga Alan Shearer për Anglinë kundër Gjermanisë në 1996 (minuta 3).

Por, pak minuta më vonë, Anglia do të fitonte 11 metërsh pas një ndërhyrje të gabuar të Denzel Dumfries ndaj Harry Kane.

Pas rishikimit të rastit në VAR nga gjyqtari kryesor i takimit, Felix Zwayer, Anglia fitoi 11 metërsh të cilin në minutën e 17 e ktheu në gol kapiteni Kane.

Harry Kane është tani golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ndeshjet me eliminim direkt në Kampionatin Evropian, me penalltinë e tij kundër Holandës për golin e tij të gjashtë të tillë.

Kapiteni i Anglisë gjithashtu tani ka më shumë gola në fazën eliminatore në turnetë e mëdha (Kupa e Botës/Euro) se çdo lojtar tjetër evropian (9), duke kaluar Gerd Muller, Miroslav Klose, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe (të gjithë 8).

Vetë Dumfries do të shlyente gabimin pasi në minutën e 26 hoqi mbi vijën fatale një top i cili ishte drejtuar për në fundin e rrjetës së portës së mbrojtur nga Bart Verbruggen.

Dhe nuk ishte vetëm kaq. Mbrojtësi i Inter-it rrezikoi portën angleze pak minuta më vonë duke gjetur traversën pas një goditjeje me kokë.

Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1.

Në pjesën e dytë skuadrat ishin disi më të kujdesshme dhe do të përpiqeshin më shumë të mbroheshin sesa të sulmonin, pavarësisht se kishte disa raste shënimi nga të dyja ekipet.

Megjithatë, kur ndeshja po shkonte drejt një kohe shtesë prej 30 minutash, sulmuesi i Aston Villa-s, Ollie Watkins, i hedhur në fushë vetëm para nëntë minutash, realizoi golin e fitores për “Tre Luanët”.

Goli i Watkins në minutën e 90-të erdhi pas asistimit nga Cole Palmer, një tjetër lojtar zëvendësues i futur në fushë 10 minuta më herët.

Ylli i Aston Villa-s ka shënuar vetëm golin e dytë të fitores në minutën e 90-të në një ndeshje eliminatore të Kampionatit Evropian të UEFA-s, pas Gjermanisë kundër Turqisë në gjysmëfinalen e vitit 2008.

Tani, sytë e të gjithë tifozëve të futbollit do të jenë nga Berlini më 14 korrik, ora 21:00, aty ku Spanja dhe Anglia do të përballen në finalen e madhe të Euro 2024.

Spanja ka fituar tre herë në historinë e saj Kampionatin Evropian, po aq sa Gjermania, dhe kërkon një triumf të katërt rekord.

Nga ana tjetër, Anglia, vendi në të cilin thuhet se u shpik futbolli, po kërkon trofeun e parë të Kampionatit Evropian në historinë e saj, në finalen e saj të dytë radhazi.

Notat e lojtarëve 

Watkins është shpallur “Lojtari i Ndeshjes”. Paneli i Vëzhguesit Teknik të UEFA-s tha: “Ai bëri një ndikim të madh me një gol të madh individual”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore