Angli kujdes, ‘rikthimi’ i Danimarkës favorizohet nga historia

SHFLETO
Romario Ismailaj
07.07.2021 13:41
Loading Icons...

Anglia nga shumëkush njihet si vendi ku lindi futbolli, por asnjëherë “Tre Luanët” nuk kanë arritur të rrëmbejnë një trofe të një Kampionati Evropian, çka e ka bërë Danimarka në vitin 1992.

Anglia dhe Danimarka do të përballen në gjysmëfinalen e dytë të Euro 2020, për të siguruar një biletë për në finalen e madhe të 11 korrikut.

Skuadra e Gareth Southgate-t është favorite në këtë takim, por historia është në anën e danezëve. Dy skuadrat janë përballur për herë të fundit, pikërisht në stadiumin ku do të ndeshen të mërkurën në mbrëmje, “Wembley”.

Danimarka e fitoi ndeshjen e fundit me Anglinë në Londër me rezultatin 1-0, falë golit të Christian Eriksen-it, i cili është një nga mungesat e mëdha të skuadrës së tij, por pjesa më e madhe e lojtarëve që luajtën në atë ndeshje do të jenë të pranishëm.

Po të rikthehemi tek Euro 1992, Danimarka ishte me fat, njëkohësisht edhe surpriza e atij kampionati. Danezët ishin të eleminuar, pasi përfunduan të dytët në Grupin e 4-t, pas Jugosllavisë.

Por, lufta që kishte shpërthyer asokohe në shtetet që përbënin Jugosllavinë, bëri që UEFA dhe FIFA ta përjashtonin nga çdo kompeticion i tyre, këtë të fundit.

 

Përjashtimi i Jugosllavisë solli përfshirjen e Danimarkës në fazat finale të Euro 1992, që atë kohë përbëhej vetëm nga katër skuadra.

Danimarka u përball në gjysmëfinale me Holandën dhe ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2. Dy gola shënonte Henrik Larsen-i për Danimarkën, ndërsa për Holandën shënonte Dennis Bergkamp-i dhe Franklin Rijkaard-i.

Fati i asaj ndeshjeje të 22 qershorit 1992 u vendos pas ekzekutimit të 11-metërshave dhe danezët kaluan pasi i shënuan të pesta penalltitë, por u ndihmuan nga penalltia e humbur e Marco van Basten-it.

Në finale, Danimarka mposhti Gjermaninë me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga John Jansen-i dhe Kim Vilfort-i.

Danimarka u rikthye me “fat” në Euro 1992, por në fund arriti të dilte kampione. Në Euro 2020, Danimarka, pas dy ndeshjeve të para, ishte pothuajse e eliminuar, pasi kishte dy humbje.

Ata humbën ndeshjen e parë përballë Finlandës me rezultatin 1-0 dhe në ndeshjen e dytë u përmbysën nga Belgjika, nga 1-0 në 1-2.

Por, fati i tyre u vulos në fitoren e vetme që ata arritën përballë Rusisë në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, me rezultatin 1-4, çka u solli kualifikimin si vendi i dytë në grup, pas Belgjikës.

Një kualifikim me shumë fat, por që kësaj radhe nuk vendosi skualifikimi i ndonjë skuadre, por golavarazhi që u përcaktua në ndeshjen e fundit.

Tashmë, mbetet të shihet nëse “rikthimi” i dytë i Danimarkës do të ketë fundin e atij të parit, apo ishullorët do të prishin “mallkimin” e tyre.