Lajme

Anëtarësimi i RMV-së në BE, sfidë e pafundme


Sërish në një moment kyç.

Maqedonia e Veriut po përballet me një etapë të re në historinë e saj.

17 vjet pas marrjes së statusit kandidat ekziston një shans konkret për një fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Megjithatë, për të nisur procesi, duhet të zbatohet i ashtuquajturi “propozim francez”, në mënyrë që të kapërcehen mosmarrëveshjet me Bullgarinë.

Kjo e fundit është një vend anëtar i unionit që vazhdimisht ka vënë veton për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar anëtarësimin e RMV-së që nga viti 2020.

Sipas Sofjes zyrtare, gjuha maqedonase është “thjesht bullgare me një emër tjetër, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk respekton lidhjet e saj të përbashkëta kulturore dhe historike me Bullgarinë”.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkon që minoriteti bullgar të përfshihet zyrtarisht në Kushtetutën e vendit.

Propozimi i ardhur nga Franca më 18 qershor gjatë presidencës së Parisit ofronte një sërë masash për të kapërcyer ngërçin aktual, masa që u pranuan nga Qeveria maqedonase, ndërsa opozita i refuzoi me vendosmëri.

Pasi propozimi francez u miratua nga parlamenti në Shkup, RMV-ja mbajti konferencën e saj të parë ndërqeveritare me BE-në, por vetëm si fazë e parë.

Negociatat aktuale me BE-në supozohet të fillojnë vetëm kur vendi të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj, një lëvizje që kërkon një shumicë prej dy të tretash në parlament.

Vetëm atëherë do të jetë e mundur mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimi aktual i negociatave me BE-në.

Raportet vjetore për zbatimin e marrëveshjes dhe protokolleve me Bullgarinë janë gjithashtu të përfshira në rrjedhën e negociatave, ose më saktë në Kornizën Negociatore.

Bullgaria ka mundësinë të vërë sërish veton nëse nuk ka marrëveshje për këto çështje.

EU agrees to accession talks with Albania, North Macedonia | European Union News | Al Jazeera

“Nuk do të them që propozimi ynë është i përsosur, por do të pastrojë rrugën tuaj evropiane. Si çdo marrëveshje, edhe kjo bazohet në kompromise dhe ekuilibër”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Para se të pranohej propozimi, kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen, vizitoi Shkupin dhe mori pjesë në seancën e Kuvendit Popullor.

Nga aty ajo kërkoi nga deputetët që të pranojnë kompromisin e ardhur nga Franca.

“Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Ne e respektojmë plotësisht atë dhe prandaj në propozimin francez emërtimi i gjuhës është ‘maqedonisht’ pa asnjë kriter nga BE-ja”, tha Ursula Von Der Leyen.

Megjithatë, më 19 korrik, Qeveria bullgare lëshoi ​​një deklaratë të njëanshme duke u kujtuar vendeve anëtare të BE-së se nuk e njeh ekzistencën e një gjuhe maqedonase, të cilën e konsideron thjesht si një formë të shkruar rajonale të asaj bullgare.

Që nga fillimi i verës, dy forcat kryesore politike në Maqedoninë e Veriut, social-demokratët (SDSM) aktualisht në qeveri dhe opozita e qendrës së djathtë, VMRO DPMNE, janë përplasur për këtë çështje.

Qeveria aktuale nuk ka vota të mjaftueshme për shumicën e dy të tretave në parlament që nevojiten për të përfshirë pakicën bullgare në Kushtetutë.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE ka njoftuar se nuk do të lejojë që votat e tyre të ndryshojnë Kushtetutën, duke paralajmëruar se propozimi do të lejojë Bullgarinë të diktojë agjendën historike dhe politike të vendit.

“Ky nuk është një negocim apo një kornizë negociuese me të cilën ne sigurojmë të ardhmen tonë evropiane. Kjo është një kornizë negociuese në të cilën ose asimilohemi dhe ‘bullgarizojmë’ ose nuk do të jemi kurrë pjesë e BE-së”, tha kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

North Macedonia lawmakers may vote on divisive EU talks deal this weekend – EURACTIV.com

Më 16 korrik, Qeveria miratoi mocionin e miratuar nga parlamenti dhe mori zyrtarisht një vendim për të pranuar propozimin e presidencës franceze.

Tri ditë më pas në Bruksel, në konferencën e parë ndërqeveritare, kryeministri Kovaçevski e lexoi fjalën hyrëse në gjuhën maqedonase.

Në qershor dhe korrik, para pranimit të propozimit francez, u mbajtën vazhdimisht protesta përpara godinave të qeverisë, parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme.

Qytetarët në rrugë kërkuan që të mos pranohet ky kompromis. Gjatë disa prej këtyre protestave u regjistruan përplasje me policinë, me të plagosur dhe protestues të ndaluar.

Sipas demonstruesve, Maqedonia e Veriut tashmë është “mashtruar” nga Bashkimi Evropian, duke marrë parasysh premtimin e Brukselit se negociatat me BE-në do të fillonin menjëherë pasi të tejkalohej “çështja e emrit” me Greqinë.

Edhe pse kjo ndodhi në vitin 2018, me pranimin e Maqedonisë për të ndryshuar emrin e saj kushtetues në Maqedoninë e Veriut, negociatat u ndërprenë më pas nga vetoja e Bullgarisë.

Gjatë protestës së 6 korrikut, derisa demonstruesit po marshonin nëpër një lagje shqiptare në Shkup, u regjistrua edhe një përplasje ndëretnike me gjuajtje gurësh dhe sendesh.

VMRO-DPMNE insiston tani për referendum kundër propozimit francez, por nuk specifikon se cila do të jetë pyetja e referendumit.

Ndërkohë, ajo po kërkon në mënyrë aktive mbështetje politike nga partitë e tjera në parlament dhe ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e referendumit.

Kryeministri Kovaçevski tha se referendumi i propozuar nga VMRO-DPMNE është i parëndësishëm pasi që vendi ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.

Sipas tij, iniciativa e shpallur nga VMRO-DPMNE është vetëm për propagandë të brendshme dhe VMRO-DPMNE duhet të sqarojë nëse dëshiron ta shohë vendin në BE apo jo.

Edhe analistët duket se janë të ndarë.

Disa besojnë se një referendum do të ketë një efekt negativ me tensione të reja mes qytetarëve dhe pak ndikim në kuadrin e negociatave.

Ndërsa të tjerë argumentojnë se, duke qenë se popullit nuk iu kërkua mendimi i tyre për propozimin francez, e vetmja mënyrë për të legjitimuar kompromisin është një referendum ose zgjedhje të parakohshme.

Marrë nga Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore