Kosova

Anëtarësimi i përshpejtuar në NATO? – Kosova mund të përfitojë nga çmenduria e fundit e Rusisë


Ilustrim, Kosova në NATO

Kërkesa e Ministritë të Mbrojtjes, Armend Mehaj, që Kosova, të anëtarësohet në mënyrë të përshpejtuar në NATO, për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, teknikisht është e vështirë, mirëpo tërmeti gjeopolitik i cili ka ndodhur pas invazionit rus në Ukrainë, është drita në fund të tunelit.

Pengesa kryesore, sipas studiuesve të politikave ndërkombëtare, me të cilën Kosova ballafaqohet në rrugën e saj drejt organizatës që është garantuesi më i madh i sigurisë së botës demokratike, është mosnjohja e saj nga katër shtetet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.

Andi Hoxhaj, profesor në Universitetin Warwick në Angli, mendon se momentumi i krijuar pas agresionit rus në Ukrainë duhet të shfrytëzohet në maksimum nga diplomacia kosovare.

Edhe pse Hoxhaj, e cilëson si kompleks procesin e anëtarësimit të Kosovës në mënyrë të përshpejtuar në bllokun perëndimor të sigurisë, sipas tij çmenduria ruse ka bërë që vendet e NATO-s dhe të BE-së ta rikonfigurojnë të gjithë politikën e tyre të zgjerimit.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është kompleks për arsye të mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete anëtare të kësaj organizate. Mirëpo situata në Evropë dhe rreziku që Rusia po tregon me luftën në Ukrainë, ka bërë që vendet e NATO-s dhe të BE-së të ristrukturojnë të gjithë politikën e tyre të jashtme dhe të zgjerimit – kështu që mund të kemi zhvillime pozitive për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj për Albanain Post.

Andi Hoxhaj

Sikurse Hoxhaj, edhe analisti politik, Agon Maliqi është në të njëjtin linjë të mendimit, se rendi Evropian i sigurisë tashmë ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të ndryshojë pas krizës Ukrainë-Rusi dhe se Kosova duhet t’ju përshtatet rrethanave të reja.

“Zhvillimet janë shumë dinamike. Anëtarësimi në NATO duhet të jetë gjithsesi prioritet. Problemi kryesor i Kosovës është mosnjohja prej katër vendeve anëtare. Diskutimi me SHBA-të dhe me partnerët evropiane duhet të përqendrohet te sigurimi i këtyre njohjeve. Procesi formal pastaj është i përcaktuar në traktat, ai ecën ngadalë, por për shkak të rrethanave edhe mund të përshpejtohet”, ka thënë Maliqi për AP.

Agon Maliqi

Në anën tjetër, mundësit e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, për profesorin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, janë më të mira se asnjëherë më parë, mirëpo sipas tij një gjë e tillë ekskluzivisht varet nga angazhimi diplomatik i Kosovës për të fituar përkrahje të gjerë nga shtete anëtare të aleancës.

“Kosova duhet për këtë qëllim të ndërmerr një fushatë të gjerë e intensive për të fituar përkrahje për anëtarësim, dhe të dëshmojë gatishmëri që do t’i përmbush kërkesat e dala në këtë proces. Me rëndësi për ne është që fillimisht të pranohemi në programe të NATO-s, si Partneriteti për Paqe dhe që të bashkërendohet me Uashingtonin e Brukselin për hapat e nevojshme në këtë drejtim”, ka thënë Baliqi për AP.

Bekim Baliqi

Hoxhaj, përveç problemit politik e sheh si pengesë edhe mungesën e infrastrukturës ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjë që duhej të modernizohej, nëse Kosova do të dëshironte të anëtarësohej në NATO.

Ministri Mehaj, i cili dy ditë më parë e ka cilësuar si nevojë imediate anëtarësimin e Kosovës në NATO, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, të martën ka kërkuar nga mërgata kosovare të bëjnë diplomaci qytetare në mënyrë të promovimit të vlerave demokratike të Kosovës ne vendet e ndryshme të botës ku ata jetojnë.

“Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj, të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë”, kishte shkruar Mehaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Kërkesa e Mehaj që të gjithë qytetarët të vendosin këtë fotografi ne profilet e tyre në rrjete sociale me etiketën #KosovoInNATO

Në anën tjetër edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takimin me homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përsëritur kërkesën e shtetit të saj se “përshpejtimi i anëtarësimit në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’.

Kërkesa e saj u konfirmuar nga Erdogan, i cili potencoi se vendi i tij nuk ka asnjë problem në raport me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ne si vend i rëndësishëm në NATO nuk shohim asgjë që nuk shkon sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ne e mbështesim këtë proces. Do të ndërmarrim hapat tona, siç ndihmuam në procesin e njohjeve do të bëjmë njëjtë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, pohoi Erdogan.

Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, janë të vetmet shtete të Gadishullit Ballkanik të cilët nuk janë anëtarë të Aleancës Veri-Atlantike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore