Sport

Andre Onana po pret ofertën e Inter-it


Portieri kamerunas, Andre Onana, po synon të luajë në Serie A me skuadrën e Inter-it. Samir Handanovic është portieri i vetëm i disponueshëm në skuadër që ofron garanci të plotë.

25-vjeçari është pjesë e Ajax-it që nga viti 2015, kohë kur u transferua nga akademia e Barcelona-s. Por, tashmë, ai ka marrë vendimin për t’u larguar nga holandezët.

Sipas italianes “Calciomercato”, ideja e Simone Inzaghit dhe bordit të Inter-it është që të paraqesin në ditët në vijim një ofertë tek Ajax-i për ta lënë të lirë para kohe Onana-n.

Kamerunasi ka edhe një vit kontratë dhe vlera e tij në tregun e transferimeve është rreth 30 milionë euro, por Ajax-i mund të bindet me shumë më pak para për ta lënë të lirë, për të mos e humbur me parametra zero sezonin e ardhshëm.

Onana ka qenë ndër lojtarët më të mirë në Eredivisie vitet e fundit dhe tek Inter-i po projektohet si pasuesi i Handanovic-it.

37-vjeçari slloven po shkon drejt përfundimit të karrierës së tij dhe Inter-it i duhet një zëvendësues i denjtë, për të mbuluar rolin që slloveni nuk e lëshon që nga viti 2012, ndaj Onana shihet si lojtari ideal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore