Kosova

Andin Hoti: Padrejtësia mbi fatin e të pagjeturve nuk mund t’i faturohet asnjë qeverie


Andin Hoti, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur

“Çështja e personave të pagjetur flitet veç në situata kur janë në pyetje votat”, konsiderojnë përfaqësuesit e Shoqatës ë Familjarëve të Pesonave të Pagjetur.

“Kryeministri Albin Kurti, është marrë të pagjeturit vetëm për vota”, ka deklaruar Bajram Qerkini nga kjo shoqatë.

Pas këaj deklarate ka reagua Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Hoti, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se padrejtësia me fatin e personave të zhdukur nuk duhet t’i adresohet asnjë qeverie dhe as Qeverisë Kurti, duke shtuar se këtë e di edhe vet Qerkini.

“Në kuadër të lutjeve të mia të vazhdueshme publike po e përsëris edhe një herë: që grupet politike, mediat apo individë me agjenda të caktuara, të mos e përdorin çështjen e të pagjeturve për interesa politike apo të çfarëdo lloji tjetër, sepse është joetike, e pamoralshme dhe fyese për këtë plagë ende të hapur të shoqërisë tone”.

“Që, tendenca e barazisë së kriminelit me viktimën, është e pafalshme, dhe nuk do të lejohet asnjëherë! Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e kryeministrit Kurti, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale”.

“Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme. Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë”.

“Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë. Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike”, ka thënë Hoti.

Tutje, ai ka deklaruar se 22 vjet pas luftës, sfidë kryesore e këtij procesi është mungesa e informacioneve të besueshme lidhur me fatin e të pagjeturve.

“Ende sot, 22 vjet pas, Serbia vazhdon t’i mbajë të fshehura krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë zhdukjen me dhunë të njerëzve tanë. Prandaj, fajësimi i njërës apo tjetrës Qeveri në Kosovë është i padrejtë, dhe mund të jetë vetëm i nxitur nga motive të caktuara”.

Bajram Çerkini, Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka një plan-program për të punuar për çështjen e të pagjeturve.

Çerkini ka thënë për Ekonomia Online se kjo Qeveri para se të vijë në pushtet ka premtuar shumë, por ka bërë pak punë.

“Çështja e personave të pagjetur do të thuhet fjala e parë dhe e fundit në Bruksel. Na nuk kemi parë plan-program ende edhe pse thonë se do të prezantojnë, edhe pse thonë se do të jetë përfundimtare”.

“Zbardhja e fatit të pagjeturve e kanë shty mbrapa kur ka punuar Edita Tahiri  për çështje teknike kur ka folur për targa edhe për s’di çka ne i kemi thënë mos na i përzini targat me të pagjeturit. Ato janë punë teknike e të pagjeturit është një dhimbje e shtetit të Republikës së Kosovës dhe ma gjerë. Për personat e pagjetur s’ka marrëveshje plot qe pesë muaj”.

Çerkini tha se me kryeministrin Albin Kurti është takuar vetëm kur ky i fundit u ka kërkuar vota.

“Ne jemi takuar kur ka lyp vota. Ne na thotë se krejt çka keni ju e keni Andin Hotin, kqyr se ai na e mbyll gojën me Andinin për shkak se ai e ka babën të pagjetur, por njeri i cili i din gjërat, por nuk përvojë nuk ka shans me punuar diçka me punuar pa i thënë Albin Kurti”.

“Do të thotë të gjitha këto po t’i them se sa herë jemi taku ose sa herë kemi biseduar me të, ka thënë kjo çështje ka me qenë numër një dhe asnjë send s’ka me bisedu. Ai menjëherë ka biseduar, u kthye ballafaqimi me të kaluarën. Çka? Targat”, u shpreh Çerkini për Ekonomia Online.

Edhe përkundër ankesave Çerkini thotë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë edhe nëse asnjë njeri nuk gjendet, ngase pohon se dialogu është çështje politike.

“Kur ta thërret Brukseli s’ka qare pa shku. Me kënd ka me fol? Me Vuçiqin që ka qenë dorë e djathtë e udhëheqësisë kriminele për Kosovën. Pra Brukseli duhet të bëhet një trysni shumë më të madhe për me folë për personat e pagjetur, sidomos në këtë dy shtete të cilat po merren me politikë e nuk po merren me çështje humanitare për zbardhjen e fatit të pagjeturve”.

Sa i përket ekspertëve të mjekësisë ligjore, përfaqësuesi i personave të pagjetur tha se nuk kanë informacione nëse në takime po marrin pjesë personat përgjegjës.

“Na nuk e dimë kush janë ata ekspertë, unë nuk e di që e kanë marrë një ekspert të mjekësisë ligjore që kanë fol në Bruksel. S’kemi informata edhe këta thotë me ekspertë, kush janë ata ekspertë? Politiqarët nuk janë ekspertë për personat e pagjetur, ekspert unë i di ata që kanë eksperiencë të personave të pagjetur edhe ata që kanë kryer shkollë për ekspert hulumtimi”.

Të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) përfshijnë një numër prej rreth 6000 personave, nga të cilët 1653 persona ende nuk janë gjetur.

Lufta në Kosovë shkaktoi edhe shumë dëme të tjera të rënda në popullatën shqiptare: dëbime masive, shkatërrime vendbanimesh, vrasje të shumta, burgosje, dhunime, tortura etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore