Analistja Emini: Refuzimi i takimit me Vuçiçin i gabuar, duhet koordinim me opozitën

SHFLETO
Mërgesa Redenica
10.05.2021 9:23
Loading Icons...

Refuzimin e takimit të 11 majit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për pjesëmarrje në takim në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, analistja politike Donika Emini e quan si vendim të gabuar.

Kurti pati deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Normalisht që i duhet kohë por refuzimi në mënyrë aq eksplicite nuk ka qenë hap i duhur po kjo ka qenë për përcaktimin e pozitës negociuese të Kosovës”, është shprehur Emini në një intervistë për EkonomiaOnline.

Sipas saj, çdo qasje jo konstruktive në dialog do të ishte edhe pikë negative për Kosovën.

“Shpresoj të ketë një qasje konstruktive sepse çdo qasje jo konstruktive në dialog do të ishte negative për Kosovën, në raport me partnerët tanë strategjik por edhe ndaj një procesi të cilin megjithatë e kemi filluar në vitin 2011”, ka deklaruar ajo.

Ajo tutje ka theksuar se qeveria duhet të ketë bashkëpunim me partitë opozitare.

“Parimet e temat dhe rrjedhën e kufizimin kohor duhet ta caktojë së bashku me opozitën të cilën e ka paralajmëruar vetë Kurti si hapi i radhës në këtë drejtim. Ka shumë punë për të bërë”, potencoi Emini.

Ndërsa sa i përket çështjes së garantimit të lirisë së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve që janë duke u akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë për krime lufte, analistja Emini ka konsideruar se Kosova duhet ta garantojë lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kosova duhet si shtet të garantojë por duhet me pa nëse kjo garanci mundet të merret edhe prej vendeve tjera që janë me rëndësi brenda Këshillit, në mënyrë që të ketë peshë tjetër. Kosova duhet që të adresoj këtë kërkesë mirëpo ta shoh mënyrën më të mirë që mos të shihet si interferim në punën e Gjykatës sepse kjo ka qenë problemi dhe për këtë çështje i kemi dy persona në Gjykatë”,  ka thënë ajo.