Kosova

Analistët serbë: Ekipi që do të punojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE s’do të ketë asnjë sukses


Ilustrim

Qeveria e Serbisë, të premten formoi ekipin që do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në krye me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë me mandat teknik, Ivica Daçiç.

Për analistët politikë në Serbi ky ekip nuk do të arrijë asnjë rezultat dhe se qëllimi i formimit të tij është për konsum të brendshëm politik dhe amortizim të “dëmit” në momentin që Kosova anëtarësohet në këtë organizatë ndërkombëtare.

Në vlerësimin e analistit, Boshko Jakshiç, formimi i një ekipi të tillë shumë pak kohë para se Këshilli i Evropës ta jep fjalën përfundimtare në raport me Kosovën ngjason me luftën e Don Kishotit me mullinjtë e erës.

“Qeveria dhe presidenti e ka pranuar shumë herë që Kosova ka shumicën e nevojshme për anëtarësim dhe se ky fakt nuk do të ndryshojë. Tani formimi i një ekipi që duhet ta pengojnë këtë anëtarësim, është absolutisht një hije në sytë e publikut”, potencon ai në një intervistë për mediumin opozitar serb, Nova.rs.

Në të njëjtën linjë të mendimit edhe ish-diplomati serb, Sreçko Gjukiç.

Sipas tij rezultati i këtij ekipi do të jetë zero.

“Unë e shoh si një përpjekje për të larë pushtetin aktual, pra për të larguar përgjegjësinë nga krerët institucional”, potencon Gjukiç.

Ekipi u formua një ditë pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Ndryshe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar të komentojë paralajmërimet e Serbisë për formimin e një ekipi që do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropë.

Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Të mërkurën Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.

Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.

Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.

Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.

Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim

Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).

Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore