Lajme

Ana Brnabiç zgjidhet Kryetare e Kuvendit të Serbisë


Ana Brnabiç, Kryetare e sapozgjedhur e kuvendit te Serbise.

Ana Brnabiç, ish-kryeministre e Serbisë, këtë të mërkure është zgjedhur Kryetare e Kuvendit serb.

Brnabiç në krye të kuvendit të Serbisë është zgjedhur me 153 vota pro dhe 5 kundër.

Brnabiç u propozua nga Partia Progresive Serbe (SNS) – partia fituese e zgjedhjeve të 17 dhjetorit – partia e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Në anën tjetër, opozita serbe e ka kundërshtuar zgjedhjen e Branbiç-it si kryetare kuvendi.

Shefja e grupit parlamentar të koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiç, ka thënë se dy skandale kyçe shënuan mandatin e Ana Brnabiç-it si kryeministre e Serbisë.

“Tërheqja e parave nga kompania Aseko dhe zhvendosja e votuesve, përfituesve të ndihmës sociale, përpara zgjedhjeve të Beogradit”, tha ajo.

Tepiç në debatin parlamentar për zgjedhjen e Brnabiç-it kryetare të Kuvendit, theksoi se nuk kishte dëgjuar asnjë lavdërim për të nga radhët e Partisë Progresive Serbe dhe se biografia e kryetares së ardhshme të Kuvendit është vetëm në një faqe, në të cilën nuk shkruhet asgjë për shtatë vitet e punës së saj si kryeministre.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Borislav Novakoviç, deklaroi se nuk mund ta mbështesë zgjedhjen e Brnabiç-it për disa arsye, duke përfshirë edhe për shkak se ajo demonstron ekskluzivitet.

Novakoviç pohoi se nuk mund ta mbështesë zgjedhjen e Brnabiç-it sepse ajo mbështetet nga kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç, i cili “së bashku me Zvonko Veselinoviç-in dhe Andrej Vuçiç-in organizuan vjedhjen e zgjedhjeve në Novi Sad”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore