Amerika i merr Kinës vendin e parë për medalje, në frymën e fundit Olimpike

Vitjon Nina
11.08.2024 19:19
Loading Icons...

SHBA-të janë konfirmuar si shteti për t’u mundur në Lojërat Olimpike, ku pas një finaleje dramatike në basketbollin e femrave, fituar vetëm 67-66, arritën të merrnin të artën e 40-ë dhe të tejkalonin Kinën në renditjen e përgjithshme.

Në fakt, në terma të medaljeve në total, Amerikës as që i afrohet ndonjë vend tjetër, pasi kanë grumbulluar 126 të tilla. për krahasim, Kina e vendit të dytë ka 91 dhe shteti i tretë më i afërt që ndjek është Britania e Madhe me 65, e më tej Franca me 64 dhe Australia me 45.

SHBA-të kanë zhvilluar një garë titanike me 40 të arta, 44 argjendi dhe 42 bronzi, për triumfin e tyre në Paris 2024. Ata në fakt janë privuar nga disa medalje të arta, të cilat i kanë pasur si kalë beteje në vitet e shkuara, ku përmenden stafeta 4×100 për meshkuj, garat e gjysmëdistancës në not për meshkuj e femra, apo edhe gara të tjera atletike.

Pavarësisht kësaj, nëse i referohemi totalit, SHBA-të kanë qenë dominuese absolute në atletikë, me 14 të arta, 11 argjendi dhe 9 bronzi. Edhe në not, amerikanët kanë rrokur 8 të arta, 13 argjendi dhe 7 bronzi.

Garat ekipore kanë parë gjithashtu suksesin amerikan, në dy medalje të arta në basketboll, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, futbollin e femrave, apo edhe gjimnastikë artistike, udhëhequr nga Simone Biles.

Ndjekësit e Kinës kanë bërë “kërdinë” me medalje në garat e hedhjes nga trampolina, ku i kanë marrë të teta medaljet në tetë disiplinat e mundshme – e para herë në histori.

Qitja, ping pongu, apo peshëngritja, kanë vërtetuar edhe një herë se Kina ka hegjemoninë në këto sporte, ku kanë marrë pesë të arta për çdo disiplinë.

Japonia ka qenë një surprizë e vërtetë në shkallën e tretë të podiumit, kur nuk ka marrë shumë medalje në total, me vetëm 45 të tilla, por thuajse gjysma e tyre janë të arta.

Plot 20 për Japoninë, ku 8 vijnë nga mundja. Japonezët vërtetë i kanë treguar dhëmbët në sportin olimpik gjatë kësaj disipline.

Gjimnastika artistike dhe xhudo kanë qenë po ashtu disiplina të mira, ku japonezët kanë marrë nga tre të arta.

Australia, e ndihmuar nga shtatë të artat në not, ka arritur të zërë vendin e katërt në renditjen e përgjithshme.

Australianët kanë marrë 53 medalje gjithsej dhe në fakt kanë treguar se kanë investuar shumë në sport në vitet e fundit dhe janë gati për të rivalizuar me këdo në disiplina të ndryshme, por mbi të gjitha në pishinën olimpike.

Pesëshen e mbyll Franca, me një ecuri të jashtëzakonshme, më të mirën e tyre në më shumë se një shekull, me 64 medalje gjithsej, ku 16 janë të arta.

Franca në fakt ka pasur mundësi të bëjë edhe më mirë, me disa prej medaljeve që mund të ishin në krye të podiumit, por të humbura në garat ekipore për shumë pak (dy në basketboll ndaj SHBA-ve).

Francezët megjithatë kanë gjetur një yll të ri në not, me Leon Marchand, i cili rroku katër të arta. Teddy Reiner i xhudos mori dy të tjera. Paraqitje e mirë edhe për ekipin e volejbollit, që mori të artën e meshkujve, triathlonin me një të artë, apo tripletën historike në garimin me biçikleta BMX.

Me pak rritje në atletikë, Franca mund të kthehet në një fuqi shpërthyese në lojërat e ardhshme të Los Angeles.

Teksa Shqipëria, e ka mbyllur renditjen në vendin e 80-ë, ku për të parën herë ka arritur të marrë dy medalje olimpike bronzi, të dyja përmes mundësve Chermen Valiev dhe Islam Dudaev.

Të fundit

Aktuale