Aplikacione

Ambiciet e sektorit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale nxisin investitorët


Në të gjithë Evropën, kompanitë po vazhdojnë të luftojnë me një ekonomi të ngadaltë rajonale të rënduar nga inflacioni i lartë dhe huamarrja më e shtrënguar.

Por investitorët thonë se mbeten optimistë.

Dhe disa nga arsyet e tyre dalin nga renditja e fundit e Financial Times-Statista e 1 mijë kompanive me rritje më të shpejtë në Evropë.

Tani në vitin e tij të tetë, hulumtimi nxjerr në pah ato biznese që kanë arritur rritje të shpejtë të të ardhurave ndërkohë që po përballen me efektet e Covid-19, luftës dhe krizës energjetike.

Për t’u kualifikuar për përfshirje këtë vit, kompanitë kishin nevojë për një normë mesatare minimale rritjeje prej 36.9 për qind midis vitit 2019 dhe 2022, me shumë që demonstronin elasticitet edhe më afatgjatë.

Rreth 377 nga bizneset e paraqitura u renditën gjithashtu në listën e vitit të kaluar – nga 334 në vitin 2023 dhe 262 në vitin 2022.

IT dhe software-i përfaqësohet më së miri, me 189 kompani, nga 176 në vitin 2023.

Kompanitë e teknologjisë gëzonin nivele të larta rekord investimesh gjatë pandemisë, gjë që ndihmoi në rritjen e treguar në renditje.

Paçka se pati një tërheqje të mprehtë vitin e kaluar, pasi kompanitë u tërhoqën nga bollëku i tyre pandemik duke ulur kostot dhe vendet e punës, referuar vëzhguesve të industrisë, batica duket se po kthehet përsëri.

Khaled Helioui, partner në fondin sipërmarrës kapitalist me bazë në Londër, Plural, është i mendimit se teknologjia është rikthyer në oreksin e investitorëve.

“Këtu ata presin që të ndodhë rritja. Niveli i investimeve kapitale që ju nevojiten është i kufizuar dhe ju mund të gjeneroni dyfishim ose trefishim në madhësi nga viti në vit”.

Inteligjenca artificiale është shtytësi kryesor për interesin e investitorëve tani, sipas Luciana Lixandru, partnere në gjigantin amerikan të kapitalit sipërmarrës Sequoia Capital.

“Ne po shohim shumë kompani që po krijohen, falë gjithçkaje që po ndodh në AI, me produkte që nuk mund të kishin ekzistuar tre apo katër vjet më parë”.

Ndikimi i AI pritet të ndihet edhe përtej sektorëve të fokusuar në teknologji.

“Në çdo industri, do të ketë përçarje përmes teknologjisë dhe veçanërisht me AI – madje edhe në sektorin e ndërtimit”, sipas Christian Meermann, investitor dhe themelues i fondit të kapitalit sipërmarrës me bazë në Berlin Cherry Ventures.

Tanimë, teknologjia e inteligjencës artificiale është aplikuar në sektorë nga bujqësia te transporti dhe ekspertët janë të mendimit se efektet e saj zmadhuese vetëm sa do të intensifikohen.

Ndërtimi ishte sektori i dytë më i përfaqësuar në FT 1000, i ndjekur nga e-commerce në vendin e tretë dhe fintech dhe shërbimet financiare në të katërtin.

Sakaq, energjia dhe shërbimet komunale u rritën një vend, në të pestën.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nënkuptuar se “konsumi i energjisë dhe efiçenca kanë qenë mbizotëruese për bizneset evropiane”, vëren Meermann.

Po ashtu ka shtuar se “ndonëse kjo ka qenë një pengesë e qartë për kompanitë prodhuese dhe industriale, gjithashtu është krijuar – ose mbështetur – një mjedis që është i pjekur për inovacion”.

Por investitorët thonë se ka ende vrull në sektorin evropian të energjisë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, sipas Helioui, ishte “një thirrje e qartë zgjimi për sa i përket pasigurisë së sovranitetit tonë energjetik si kontinent”, i cili ka nxitur investimet.

“Investimet tona janë një testament për vetëm disa fusha ku Evropa është qartë përpara”, argumenton ai.

Ndërkaq, agjencitë e reklamave digjitale Adagio dhe Bidberry përfituan pasi konsumatorët dhe reklamuesit migruan në internet gjatë pandemisë – duke arritur respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë në renditje.

Rritja e kërkesës për shërbimet e marketingut digjital nuk është vetëm një përgjigje ndaj ndryshimit të sjelljeve pasi konsumatorët kalojnë më shumë kohë në internet, referuar analistëve.

Është gjithashtu një lëvizje strategjike nga kompanitë për të përdorur analitikën e të dhënave dhe AI për produkte, shërbime dhe fushata reklamash më të synuara.

Meermann e përshkruan atë si “një lëvizje të natyrshme pasi njerëzit reduktojnë shpenzimet e tyre në të gjitha pikat e shitjes tradicionale dhe lëvizin gjithçka”.

Shumë grupe të tregtisë elektronike përjetuan rritje të shpejtë gjatë pandemisë, por FT 1000 e këtij viti pasqyron një rikalibrim, pasi numrat në listë ishin më të ulët.

“Sektori i tregtisë elektronike të Evropës nuk është konsoliduar ashtu siç është në SHBA”, referuar Helioui.

“Ka lidhje më shumë me ciklin e investimeve dhe mungesën e M&A ambicioze ndërkufitare, në vend që të jetë një problem themelor evropian. Tregtia elektronike ka një ton potencial në rajon dhe nuk ka arsye strukturore që pengojnë shfaqjen e një fituesi pan-evropian me ambicie globale”.

Ndërkohë, investitorët po kërkojnë të mbështesin kompanitë që mund të tregojnë elasticitet dhe përshtatshmëri – me fjalë të tjera, jo vetëm rritje, por qëndrueshmëri dhe inovacion të nevojshëm për të mbetur liderë të korporatave.

Më e rëndësishmja, thonë investitorët, themeluesit duhet të demonstrojnë një aftësi për të ndërtuar një biznes me një propozim të ri nga e para, pavarësisht sfidave të shumta.

Pavarësisht nga pengesat apo mjedisi ekonomik, sipas tyre, “nuk ka kurrë një kohë të keqe për të investuar”.

Megjithatë, Meermann tregon ndikimin e normave më të larta të interesit dhe rrjedhimisht financimeve më të shtrenjta.

“Kjo do të thotë se kapitali nuk është më i disponueshëm, siç ishte tre vjet më parë. Pra, themeluesit duhet të jenë shumë më efikas dhe duhet të mendojnë për përfitimin. Nuk ka të bëjë më vetëm me rritjen”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore