Lajme

Ambasadorja e SHBA-ve në NATO: Rusia po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor përmes sulmeve hibride


Julianne Smith

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Julianne Smith, ka vlerësuar se Rusia është duke tentuar ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor përmes sulmeve hibride.

Rusia, është shprehur e bindur ajo, përdor një listë klasike të mjeteve ku fokusi kryesor është fushata e dezinformimit që ka për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe destabilizimin.

“Ne me kujdes monitorojmë situatën dhe punojmë me një numër të vendeve anëtare të NATO-s në rajon, e disa veçse janë vende anëtare. Punojmë edhe me vendin aspirant Bosnje-Hercegovinën dhe u ndihmojmë të modernizojnë ushtrinë. Punojmë edhe me partnerët në rajon. Kemi për shembull partneritet me Serbinë“, ka thënë Smith.

Marrë për bazë këto tendenca të Rusisë, diplomatja amerikane ka nënvizuar faktin se NATO-ja po punon me partnerët për të ruajtur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“NATO-ja ka pasur prani të kamotshme në Ballkanin Perëndimor. Që nga vitet 1990, aleatët e NATO-s kanë bërë gjithçka që kanë mundur për ta mbajtur stabil këtë rajon. Kemi praninë tonë ushtarake në rajon akoma dhe aleatët e NATO-s patën një vizitë të përbashkët në Bosnje-Hercegovinë, ku është një mision i NATO-s, krahas atij të KFOR-it në Kosovë“, ka potencuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore