Lajme

Ambasadorja amerikane në NATO: Jemi duke i monitoruar lëvizjet ruse për parandalimin e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor


Julianne Smith

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në NATO, Julianne Smith, duke folur në një konferencë virtuale përpara takimit të ministrave të jashtëm të aleancës, paralajmëroi se Rusia do shkaktojë telashe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përdorur metodat klasike të interfernimit në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në rajon.

“Dhe për këtë ajo përdor një listë klasike të instrumenteve. Një nga instrumentet e Rusisë është përdorimi i dezinformimit, të cilin rusët e përdorit gjerësisht në të gjithë rajonin për të ndarë shoqëritë nga brenda, për të ndarë Evropën nga brenda, dhe për të ndarë SHBA-të nga aleatët e saj evropianë dhe miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Smith.

Ajo theksoi ndër të tjera se të gjitha veprimet ruse në rajon monitorohen nën kujdes të shtuar dhe në këtë drejtim, shtoi se bashkëpunon ngushtë si me vendet e Ballkanit Perëndimor që janë anëtare të aleancës ushtarkae – Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – ashtu edhe me vendet që janë në fqinjësi të NATO-s – Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike.

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.

Ballkani është në luftë – në luftë kundër fushatës dezinformuese të Rusisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore