Lajme

Ambasadori i Kosovës në Gjermani ia dorëzon letrat kredenciale presidentit Steinmeier


Faruk Ajeti, e ka nisur zyrtarisht punën e ambasadorit të Kosovës në Gjermani, pasi këtë të hënë ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Përmes një cicërime në Twitter, Ajeti ka thënë se ky është një nder i madh për të.

“Ishte një nder i madh për mua që sot t’i dorëzoja kredencialet e mia Presidentit, Frank-Walter Steinmeier. Do të punoj me shumë kënaqësi dhe përkushtim për të thelluar marrëdhëniet tona të ngushta dypalëshe dhe historike mes Kosovës dhe Gjermanisë“, ka shkruar Ajeti.

Para tij, ambasador në Gjermani ishte Beqë Cufaj.

Edhe Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, i ka dorëzuar një kopje të letrave kredenciale ambasadores Natasha Prah, udhëheqëse e protokollit diplomatik, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë.

Valdet Sadiku

Ndërkaq Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohet nga Ilir Dugolli, i cili së fundmi ka qenë ambasadori i Kosovës në Turqi.

Ilir Dugolli, Ambasador i ri i Kosovës në SHBA

Në Britani të Madhe, ambasador pritet të jetë Ilir Kapiti, i cili para emërimit si ambasador ishte zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

Po ashtu Mehdi Halimi do jetë ambasadori i Kosovës në Francë.

Emërimi i ambasadorëve të rijnë ka ardhur pas një periudhe gjashtë mujore vakumi që kanë pasur misionet diplomatike kosovare.

Me 19 maj të këtij viti, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, kishte shkarkuar nga detyra 12 ambasadorët politikë.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, muaj më parë ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore