Lajme

Ambasadori i Kinës në Serbi: Veprimet e njëanshme mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve


Li Ming

Ambasadori i Kinës në Serbi, Li Ming, e ka cilësuar si veprim të njëanshëm vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit në territorin e Kosovës, i cili mund të çojë në përhapjen e panikut dhe përshkallëzimit të tensioneve.

I shqetësuar me këtë vendim ambasadori kinez ka vlerësuar se të gjitha grupet etnike dhe të drejtat e siguria e tyre duhet të respektohen dhe garantohen.

“Ne besojmë se çdo veprim i njëanshëm mund të çojë në përhapjen e panikut dhe të çojë në një përshkallëzim të tensionit, i cili nuk është në interes të asnjërës palë pjesëmarrëse në mosmarrëveshje, as në interes të paqes në rajon”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

Sipas tij çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me dialog, konsultime në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Li Ming ka theksuar se në parim Kina shpreson që çështja e Kosovës të zgjidhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe në kuadër të rezolutave përkatëse të OKB-së.

“Ne respektojmë dhe vlerësojmë përpjekjet politike të Serbisë për zgjidhjen e këtij problemi dhe çështjeje dhe shpresojmë se mund të ruajmë marrëdhënie të ngushta për këtë çështje të rëndësishme”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore