Ambasadorët e BE-së sot diskutojnë rreth raportit të Borrellit për masat ndaj Kosovës

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
19.06.2024 9:01
Loading Icons...

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dorëzoi të martën e 18 qershorit raportin për masat ndaj Kosovës, përkatësisht rreth hapave të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e vendit.

E raporti i Borrellit për heqjen e masave pritet të diskutohet sot në takimin e Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare. Autoritetet në Kosovë janë në pritje të një raporti pozitiv rreth masave. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u shpreh optimist se “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese ndaj Kosovës.

Megjithatë, në takimin e ambasadorëve nuk pritet të merret një vendim se si të veprohet për masat ngase vendimi u takon ministrave të jashtëm ndonëse Borrelli ndëshkoi Kosovën në mënyrë të njënashme. Në këtë fazë ende nuk dihet nëse Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave kundër Kosovës.

Në takimin e fundit të Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së, shumica e vendeve anëtare u shprehën në favor të largimit të “masave kufizuese” kundër Kosovës. Por, përkundër se shumica e vendeve pajtohen për largimin e masave, akoma nuk është e sigurt nëse do të rekomandohet heqje e plotë dhe e menjëhershme, apo vetëm “heqje graduale” e masave ndëshkuese.

E përkundër insistimit të Kosovës se ka ndërmarrë hapat e domosdoshëm për deeskalimin e situatës, përfshirë procesin e fundit zgjedhor në pjesën veriore që u bojkotua nga serbët, mbyllja e gjashtë institucioneve financiare serbe që vepronin ilegalisht në veri mund të përfshihet në këtë raport dhe rrjedhmisht, mund të ndikojë negativisht në heqjen e masave.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se “sanksionet” ndaj Kosovës, që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të hiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë “hapa konkretë” në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.