Lajme

Ambasada Gjermane në Beograd: Nga takimi i Ohrit presim zbatim të propozimit evropian


Ambasada Gjermane në Beograd

Gjermanët presin që takimi i Ohrit të jetë frytdhënës në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada gjermane në Beograd ka thënë për Radio Evropa e Lirë se pret që takimi i 18 marsit të sigurojë marrëveshjen ndërmjet dy shteteve dialoguese, Kosovës dhe Serbisë, në implementimin e propozimit evropian për normalizim të raporteve.

Avancimi drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor është synim i Procesit të Berlinit, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë ka një pengesë në këtë rrugë.

“Raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të paraqesin pengesë. Takimi i ri i nivelit të lartë në Ohër shënon një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të kësaj pengese dhe avancimit në rrugën evropiane”, thanë nga Ambasada gjermane.

Në Ohër, palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së.

Sipas Berlinit zyrtar, propozimi evropian për normalizimin e raporteve, për të cilin ranë dakord më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një bazë të qëndrueshme dhe besueshme për raportet në mes të Kosovës e Serbisë.

“Që kjo të ketë sukses, të dyja palët duhet të pajtohen të zbatojnë marrëveshjen”.

Pavarësisht se e pranuan propozimin dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për negocim të mëtejmë, Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë nënshkruar dokumentin prej 11 nenesh.

Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiç ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore