Teknologji

Amazon pa Jeff Bezos


Jeff Bezos, themeluesi i kompanisë së teknologjisë, Amazon.com Inc, njoftoi se do të largohet si CEO i kompanisë në tremujorin e tretë të vitit për t’u përqëndruar në bizneset e tjera të cilat i ka në ngarkim. Mes tyre, kompaninë hapësinore Blue Origin dhe gazetën Washington Post.

Agjensia e lajmeve, Reuters, bën me dije se Bazos i ka njoftuar punonjësit e tij nëpërmjet një shënimi ku është shprehur se do të vazhdojë të qëndrojë i angazhuar si kryetar ekzekutiv pranë kompanisë Amazon, ndërkohë që do të fokusohet në projektet e tjera që disponon.

Zëvendësuesi i Bezos-it do të jetë drejtuesi i sektorit më fitimprurës së kompanisë, sektorit ‘’cloud’’, e cila sipas agjensisë Reuters, është shenjë e transformimit të kompanisë nga një shitës i internetit në një “konglomerat interneti”.

Pasuesi i Bezos-it, Andy Jassy, është kreu i Amazon Web Services (AWS). Sipas Reuters, Jassy është bashkuar me kompaninë Amazon në vitin 1997 duke themeluar AWS-në dhe duke e kthyer atë në platformën “cloud” të përdorur nga miliona klientë.

Për sa i përket kompanisë Amazon, Bezos ka thënë se planifikon të përqëndrohet në produkte dhe iniciativa te reja. Ndërkohë, ai ka deklaruar se Amazon ka realizuar tre fitime rekord radhazi dhe për sa i përket shitjeve të tremujorit të fundit, ato janë për herë të parë 100 bilionë dollarë.

Ndërkohë, Bezos ka edhe një sërë kompanish të tjera përpos Amazon-it të cilave do u kushtojë më shumë vëmendje pas largimit nga kompania teknologjike.

Organizata jofitimprurëse Day 1 Fund, ka shpallur në muajin shtator të vitit 2018 një përpjekje filantropike për të financuar organizatat jofitimprurëse ekzistuese të cilat ndihmojnë familjet e pastreha. Gjithashtu, edhe përpjekjen për të krijuar një rrjet jofitimprurës të institucioneve të reja arsimore parashkollore në komunitetet me të ardhura të pakta.

Blue Origin është kompania hapësinore e Bezos-it e cila ka për synim hyrjen më të lirë në hapësirë përmes automjeteve të ripërdorshme, ndërkohë që aktualisht, po teston sisteme raketash, si dhe zbarkues në hënë të quajtur Blue Moon. Misioni i parë është planifikuar të jetë në vitin 2024.

Bezos Earth Fund, ka premtuar vitin e kaluar 10 bilionë dollarë financim për shkencëtarët, aktivistët, oraganizatat jofitimprurëse dhe grupe të tjera në mbrojtje të mjedisit dhe kundër efekteve të ndryshimeve klimatike. 16 përfituesit e parë në nëntor morën një total në grante prej 791 milionë dollarë.

Gazetën amerikane, Washington Post, Bezos e ka blerë në vitin 2013. Sipas Reuters, gazeta është rivitalizuar duke u kthyer në një lojëtare e fuqishme në mediat online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore