Teknologji

Amazon-i me dyqan ushqimor inovativ


Kompania teknologjike, Amazon, ka hapur dyqanin e saj të parë ushqimor pa kontakt të drejtpërdrejtë në Mbretërinë e Bashkuar.

Agjensia e lajmeve, The Guardian, tregon se në dyqanin e ri prej 2 mijë e 500 metrash katrorë, blerësit mund të marrin mallrat e tyre dhe të largohen pa qenë nevoja të kalojnë në kasë.

Dyqani i quajtur Amazon Fresh është hapur në Ealing të Londrës Perëndimore dhe është i disponueshëm vetëm për blerësit që janë regjistruar në shërbimin e pajtimit, Amazon Prime. Kjo mundëson që blerja e klientëve të kryhet përmes skanimit të kodit në telefonin e tyre dhe më pas të hyjnë në dyqan.

Lidhur me mënyrën e funksionimit, pas hyrjes blerësit mund të marrin mallrat që dëshirojnë pa i skanuar në kasë derisa sensorët e lëvizjes, kamerat dhe teknologjia mbështetëse të monitorojë mallrat e zgjedhur. Me daljen e blerësve nga dyqani, fatura e tyre ngarkohet automatikisht te llogaria Prime.

The Guardian zbulon se edhe pse klientët nuk do ta kenë të nevojshëm ndërveprimin me anëtarët e stafit, ata do të jenë të pranishëm në ambientet e dyqanit për të dhënë mdihmën e tyre në raste specifike.

Në dyqan do të përfshihen rreth 10 mijë produkte ushqimore të markave të njohura, pa munguar gama e ushqimeve By Amazon dhe produktet nga partnerët Morrisons dhe Booths.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore