Shqipëria

AMA u kërkon redaksive që të evitojnë publikimin e të dhënave të hakuara


Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, AMA, ka deklaruar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike.

Ajo, në një publikimin në median sociale Facebook, ka theksuar se ka pritshmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave.

Këto të fundit për AMA-n, janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.

AMA shkruan se “mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cenimit të sigurisë kombëtare”.

“Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara”.

Sipas saj, fakt është që një pjesë e mediave nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cenimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive bën apel dhe kërkon që dhe nga mediat e tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore