Shqipëria

Alibeaj në Komisionin e Ligjeve: Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK


Enkelejd Alibeaj, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike (PD), ka akuzuar mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e vet me qëllim për të kapur Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Kështu ka thënë ai në Komisionin e Ligjeve, teksa po diskutohej për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së.

“Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka skualifikuar gjashtë kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose Avokati i Popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret e kushtet dokumentacionit, ose Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës, në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor kjo është një lëvizje politikisht e orientuar atë që ka ekzekutuar Sekretari i Përgjithshëm”, ka thënë ia.

Sipas Alibeajt, kjo tregon se cila është qasja me sistemin e pavarur. Dhe për të, vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë.

“Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që nuk janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar katër nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK”, ka shtuar Alibeaj.

Komisioni i Ligjeve ndërkohë  votoi për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së.

Nga radhët e Partisë Socialiste (PS), anëtarë do të jenë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi.

Kurse nga radhët e opozitës, do të jenë Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.

Sakaq, Kuvendi ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe nga shoqëria civile, për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe tre vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Lista përfundimtare u publikua më 20 maj dhe janë skualifikuar nga gara gjashtë kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad hoc i ngritur nga Avokati i Popullit.

Genci Gjonçaj, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Alban Tushe.

Në listën përfundimtare, nga e cila do të përzgjidhen dy anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.

Nga ana tjetër, listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore